Miratohet leja e parë e “Paketës së Maleve”, Rama: Familja Hasani rikthehet në Theth

#NËRADAR


Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se është miratuar leja e parë në kuadër të Paketës së Maleve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri të ditur se leja u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe i përket familjes Hasani nga Thethi.

Sipas kryeministrit, familja ka vendosur të investojë kursimet e saj në tokën e të parëve dhe të rikthehet për të jetuar e zhvilluar aktivitet ekonomik në vendlindje.

Sot u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit leja e parë e Paketës së Maleve, për familjen Hasani nga Thethi, e cila ka vendosur të investojë kursimet e veta në tokën e të parëve në vendlindje dhe të kthehet në Shqipëri“, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se Paketa e Maleve u krijon mundësi trashëgimtarëve që, tashmë me bazë ligjore, të rikthejnë në jetë shtëpitë e vjetra familjare ose të zhvillojnë aktivitete ekonomike në pronat e trashëguara.

Paketa e Maleve është paketa e trashëgimtarëve që tanimë me ligj e jo veç me zakon, mund të rilindin shtëpitë e vjetra të stërgjyshërve apo të zhvillojnë me agroturizëm, prodhim bujqësor, blegtoral dhe agropërpunim tokat e të parëve të tyre“, u shpreh Rama.



Skip to toolbar