Tragjedi në Shkodër/ Banesa shkrumbohet nga flakët, humbin jetën nëna me dy fëmijët

AKTUALITET


jë ngjarje e rëndë ka tronditur Postribën, ku një nënë dhe dy fëmijët e saj kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që përfshiu një banesë në fshatin Domen.

Pas disa orësh kërkime, ekipet e emergjencës gjetën trupat e pajetë të tre viktimave në banesën e shkrumbuar nga flakët. Fillimisht ishte konfirmuar vdekja e njërit prej fëmijëve, ndërsa më pas u gjetën edhe nëna dhe fëmija tjetër.

Sipas të dhënave paraprake, nëna dhe dy fëmijët kishin shkuar në një banesë të vjetër, e cila ishte e pabanueshme, kur ajo u përfshi nga zjarri. Banesa ndodhet në një zonë të thellë malore, rreth 30 minuta në këmbë nga rruga ku mund të mbërrijnë automjetet.

Terreni i vështirë dhe njoftimi i vonuar e bënë të pamundur ndërhyrjen në kohë të forcave zjarrfikëse. Kur ekipet mbërritën në vendngjarje, banesa ishte shkrumbuar pothuajse tërësisht.

Policia dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit dhe rrethanat e plota të kësaj tragjedie, e cila ka tronditur komunitetin e Postribës.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 13:10, në fshatin Domen, Shkodër, ka rënë zjarr dhe është djegur banesa në pronësi të shtetasit B. Ç.

Shërbimet e Policisë dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje.

Nga veprimet e para dyshohet se, si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, dhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.



Skip to toolbar