Histori femrash… dhe gjelash/ Konflikti mes dy të rinjve dyshohet se nisi për një vajzë

AKTUALITET


Ngacmimi i të dashurës dhe konfliktet e vazhdueshme mes tyre. Ky dyshohet të jetë një prej shkaqeve që çoi në përshkallëzimin e konfliktit mes Kristjan Sterjos dhe 20-vjeçarit Johan Zuko, i cili u vra me armë zjarri në Korçë.

Para grupit hetimor, Sterjo ka rrëfyer versionin e tij për ngjarjen dhe konfliktin që parapriu vrasjen. Sipas dëshmisë së tij, përplasja me 20-vjeçarin kishte nisur disa ditë më herët dhe ishte shoqëruar me debate, sharje dhe provokime të ndërsjella.

Një prej episodeve që dyshohet se ka përshkallëzuar situatën lidhet me pretendimin e Sterjos se Johan Zuko kishte ngacmuar të dashurën e tij.

Por hetuesit po marrin në konsideratë edhe përplasjet e mëparshme mes dy të rinjve. Sipas të dhënave të deritanishme, ata kishin pasur konflikte verbale të vazhdueshme, ndërsa një tjetër shkak i përplasjeve dyshohet se lidhej me pretendimet se kush konsiderohej “i forti” i lagjes pa ditur se Nga debatet dhe provokimet, konflikti do të merrte përmasa tragjike.

Sipas dëshmisë së Sterjos, ditën e ngjarjes ai ka marrë armën dhe ka shkuar në ndjekje të 20-vjeçarit Johan Zuko. Pak më vonë, e ka qëlluar me një plumb pas shpine. QE rezultoi fatal për 20-vjeçarin.

Pas krimit, Kristjan Sterjo u largua nga vendi i ngjarjes dhe u fsheh në një zonë pranë varrezave të qytetit. Për rreth 6 orë ai i shpëtoi policisë, ndërsa më pas u largua nga zona e fshehjes dhe u drejtua në afërsi të banesës së tij.

Ka qenë pikërisht në këtë moment që është pikasur nga forcat e Policisë, të cilat ndërhynë menjëherë duke bërë të mundur arrestimin e tij.

Tashmë, grupi hetimor vijon punën për të dokumentuar të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe për të përcaktuar motivin e plotë të krimit.

Dëshmia e Kristjan Sterjos, së bashku me provat e mbledhura dhe dëshmitë e personave të tjerë, pritet të ndihmojnë hetuesit në zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko.



Skip to toolbar