Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se vetëm një vatër e izoluar zjarri vijon të mbetet aktive në majën e Malit të Krujës, ndërsa pjesa tjetër e situatës paraqitet nën kontroll. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kreu i qeverisë ka shprehur mirënjohje dhe vlerësim për pilotët e Forcës Ajrore, efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe trupat speciale të ushtrisë dhe Policisë, të cilët u angazhuan në operacionet për përballimin e zjarreve. Sipas kryeministrit, këto struktura kanë punuar pa ndërprerje për mbrojtjen e banorëve të Krujës, ndërsa operacionet kundër zjarreve janë shtrirë edhe në Kamëz, Tiranë dhe Vorë.
“Mirënjohje dhe respekt i thellë për pilotët e Forcës Ajrore, efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si edhe trupat speciale të ushtrisë dhe policisë, që mbrojtën mes flakëve jetët e banorëve të Krujës”, shkruan Rama.
Kryeministri e cilëson përballjen me zjarret si një sfidë të frikshme, ndërsa vlerëson angazhimin e forcave operacionale gjatë gjithë situatës.
Në postimin e tij, Rama ka publikuar edhe mesazhin e një qytetari nga Kruja, i cili jeton prej 30 vitesh në Belgjikë dhe shpreh mirënjohjen për ndërhyrjen e autoriteteve dhe veçanërisht për mbështetjen ajrore gjatë zjarrit.
Postimi i plotë:
Mirënjohje dhe respekt i thellë për pilotët e Forcës Ajrore, efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit si edhe trupave speciale të ushtrisë dhe policisë, që mbrojtën mes flakëve jetët e banorëve të Krujës duke ia dalë me sukses një sfide të frikshme dhe nga Kruja në Kamëz, Tiranës dhe Vorës, luftuan pa ndërprerje me zjarret e këtij gushti përvëlues
*Aktualisht, vetëm një vatër e izoluar në majën e Malit të Krujës vijon të mbetet aktive, por njëkohësisht mbeten burim krenarie e motivimi për trupat tona përgëzimet e mesazhet e panumërta të banorëve, ndër të cilët edhe ky mesazh:
“Źoti Kryeministër, une jam nga qyteti i Krujes emigrant prej 30 vitesh ne Belgjike se pari te uroj shëndet, se dyti dua tju faléderoj juve personalisht per mbështetjen me ndërhyrjen ajrore dhe angazhimin e qeverise ne tragjedinë e ndodhur dhe se treti djemt e zjarrfikëseve të Krujes, u bë gjithçka qe mund te behej per shuarjen e atij zjarri të paparë ndonjëherë. Me respekt.”
