Rama “shkrin” Poliçanin e Dimalin/ Mbledhja në Kuç, kreu i PS përzë dy bashkiakët nga debati

#NËRADAR


Vendi ndodhet jo shumë larg garës për pushtetin vendor, por këtë të mërkurë Rama shkoi aty për të diskutuar për kufijtë e rinj të disa bashkive, që pritet të ndryshojnë në vjeshtë.

Në takim ishin 21 kryebashkiakë socialistë, edhe ai i Selenicës, që është propozuar bashkimi me Vlorën, apo edhe më kundërshtuesi mes tyre, ai i Poliçanit, Adriatik Zotka.

Në takimin e thirrur nga Rama, që zgjati 4 orë e 30 minuta, ka pasur diskutime, por dhe debate e përplasje të forta.Në fillim të mbledhjes ishin kryetarët e Bashkisë Selenicë, Bashkisë Divjakë, Bashkisë Poliçan dhe Bashkisë Dimal, të cilët kanë qenë më të zëshëm në kundërshtimin e tyre për shkrirjen e bashkive që drejtojnë.

Siç burime të ABC News tregojnë, ka pasur ngritje të toneve, situata është tensionuar, veçanërisht me kryetarët e Bashkive Dimal dhe Poliçan.

Rama ka kërkuar largimin e tyre nga mbledhja.

Debate ka pasur dhe me kryetarët e Bashkisë Selenicë dhe Bashkisë Divjakë, në një kohë kur diskutimi është përqendruar te pasojat që mund të sjellë shkrirja e këtyre njësive vendore.

Pavarësisht tensioneve, mbledhja ka vijuar edhe me diskutimet, ku janë përfshirë edhe kryebashkiakët, kufijtë e të cilëve nuk preken, siç është ai i Durrësit apo i Kukësit.

Rama ka kërkuar më parë ndërkohë që të gjithë të shprehin mendimet e tyre lirisht, por dhe të shohin arsyet logjike se përse është arritur në variantin e 46 bashkive, nga 61 që janë aktualisht.

Pas këtyre konsultimeve të vetë kryeministrit me kryebashkiakët socialistë, por dhe të vetë kryetarëve e këshillave bashkiakë të bashkive që preken, propozimi i PS-së do të kthehet në Parlament, aty ku do të diskutohet dhe pritet të shikohet nëse do të ndryshojë diçka, me synimin miratimin e tij në fillim të tetorit



Skip to toolbar