Themelko, hija e incidentit të Pustecit/ Ish bashkiaku shqiptar, njeriu i VMRO që fyeu flamurin dhe himnin

#NËRADAR


Në krah të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, gjatë festivalit folklorik në Pustec, u shfaq pas shumë vitesh, një figurë e dyshimtë lokale e minoritetit maqedonas si Edmond Themelko.

Ky personazh me hije të errëta në të shkuarën, udhëheq sot shoqatën e sapo hapur VMRO DPMNE, ne Shqiperi e lidhur ngushtë me partinë në pushtet me te njejtin emer në Maqedoninë e Veriut.
Por kush është Edmond Themelko, organizatori i festivalit në Pustec, që hoqi himnin shqiptar duke thyer protokollin shtetëror të Shqipërisë.

Themelko e ka nisur karrierën e tij politike në Shqipëri, me themelimin e Partisë aleanca e maqedonasve për integrim europian, një subjekt politik përfaqësues për minoritetin maqedonas për Shqipëri.

Nga viti 2007 deri në vitin 2015 drejtoi ish-komunën Liqenas, ndërsa nga 2015 deri në 2019 bashkinë Pustec. Fitoret e tij u arritën falë koalicionit me PS. Megjithatë, sytë e Themelkos nuk ishin nga Tirana, por nga Shkupi. Duke përfaqësuar minoritetin maqedonas në Shqipëri, ai mori menjëherë pëlqimin e ish-kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski.

Bashkëpunimi nisi me fushatën për ndryshimin e toponimeve dhe tabelave të fshatrave të zonës së Pustecit, nga emra shqiptarë në maqedonas. Por jo vetëm kaq. Në vitin 2016, Edmond Themelko u arrestua në Maqedoninë e Veriut për krime elektorale në shtetin fqinj, konkretisht për dosjen Titanik.

Themelko u ul në të njëjtën bankë të akuzuarish bashkë me ish-kryeministrin, Nikola Gruevski si dhe ish-ministrat Gordana Jankuloska, Biljana Brishkovska-Boshkovska dhe Mile Janakieski.
Roli i Themelkos ishte të dërgonte qytetarë minoritarë maqedonas nga Pusteci për të votuar në Komunën e Ccairit në Shkup, në favor të kandidatit të VMRO-DPNME. Ai dyshohet se falsikoi rreth 4 mijë karta identiteti në kuadër të kësaj skeme, për të regjistruar banorë të Pustecit si votues në Cair.

Ndërkohë, Themelko mungoi 14 muaj në detyrën e kryebashkiakut për shkak të masave të paraburgimit. Ai u lirua në vitin 2017 për shkak të gjendjes shëndetësore. Në vitin 2022, Themelko doli para Gjykatës por nuk pranoi fajësinë, ndaj dhe procesi gjyqësor ndaj tij vijon edhe sot.

Me arrestimin dhe ngritjen e akuzave në Maqedoninë e Veriut, PS ndërpreu bashkëpunimin me Themelkon dhe nuk e kandidoi më për kryetar bashkie. Në vend të tij, në vitin 2019, socialistët përzgjodhën Pali Kolefskin, kurse Edmond Themelko nuk qëndroi duarkryq, por kandidoi si i pavarur kundër kandidatit socialist. Në fund, fitues doli Pali Kolefski i PS, kurse Themelko pa mbështetjen e Tiranës por dhe të Shkupit me Gruevskin e arratisur për azil në Hungari, nuk u dëgjua për disa vite.

Tashmë që në pushtet në Shkup është rikthyer VMRO-DPMNE, me pasardhësin e Gruevskit, Hristjan Mickoskin, Themelko drejton shoqatën VMRO DPMNE, nje zgjedhje jorastesore kjo, ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut I njejti person ka ende hesape pa lare me drejtësinë për krime elektorale./abcnews.al



Skip to toolbar