“Mos më lini vetëm”/ Pas 2 vitesh, Izraeli nis hetimet për vrasjen e vogëlushes palestineze

BOTA


Ushtria izraelite ka konfirmuar për herë të parë se hapi zjarr ndaj një makine ku ndodhej 5-vjeçarja palestineze Hind Rajab, e cila u vra së bashku me gjashtë familjarë të saj në Gaza në vitin 2024.

Hind fillimisht i mbijetoi sulmit dhe arriti t’i përgjigjej një telefonate, gjatë së cilës kërkoi me dëshpërim ndihmë. Telefonata zgjati për disa orë.

Një ambulancë e dërguar për ta shpëtuar, pas koordinimit me ushtrinë izraelite, u godit nga sulmet, duke vrarë dy ndihmës mjekësorë. Trupi i Hindit u gjet disa ditë më vonë, së bashku me trupat e familjarëve të saj.

Në një deklaratë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se do të hapin hetim penal për vrasjen e Hindit, familjarëve të saj dhe dy ndihmësve mjekësorë. Hetim do të zhvillohet gjithashtu edhe për vrasjen e 15 palestinezëve, mes tyre punonjës shëndetësorë dhe një punonjës i OKB-së, në mars të vitit 2025.

Të dyja ngjarjet kanë shkaktuar reagime dhe dënime ndërkombëtare.

Sa i përket rastit të Hindit, IDF tha se, për shkak të dyshimeve për probleme në koordinimin e lëvizjes së ambulancës së Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, është vendosur nisja e një hetimi penal nga njësia e hetimeve kriminale të Policisë Ushtarake.

Ushtria izraelite shtoi se rezultatet e shqyrtimit të saj tregojnë se trupat izraelite hapën zjarr ndaj një automjeti, i cili, sipas tyre, po lëvizte në kundërshtim me njoftimet paraprake të publikuara nga zëdhënësi i IDF-së për banorët e zonës.

Fillimisht, IDF kishte deklaruar se asnjë prej trupave të saj nuk ndodhej në zonë në momentin kur Hind u vra. Megjithatë, ky pretendim u vu shpejt në pikëpyetje.

Më vonë, ushtria izraelite tha se kishte kryer operacione kundër objektivave që i cilësonte si terroriste dhe se forcat e saj vepronin në disa lagje të Gazës, përfshirë Tel al-Hawa, ku ndodhej Hind.

Vrasja e Hind Rajab shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare, veçanërisht pasi u publikua një regjistrim i telefonatës së saj me punonjësit e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

Në regjistrim dëgjohet zëri i saj i frikësuar duke u treguar punonjësve se kishte tanke përpara makinës dhe se ato po afroheshin.

Operatorët i thanë: Fshihu poshtë sediljeve. Mos lejo askënd të të shohë.

Operatorja Rana Faqih qëndroi në telefon me Hindin për disa orë, ndërsa ekipi i Gjysmëhënës së Kuqe i kërkonte ushtrisë izraelite leje për të dërguar ambulancën në zonë.

Sipas Faqih, vajza kërkonte vazhdimisht që dikush të vinte ta shpëtonte. Në një moment, Hind i tha se po errësohej, se ishte e frikësuar dhe e pyeti operatoren se sa larg ishte shtëpia e saj. Rreth tre orë pas nisjes së telefonatës, ambulanca mori më në fund lejen për t’iu afruar zonës dhe u nis për të shpëtuar vajzën.

Pas rënies së errësirës, dy ndihmësit mjekësorë, Yusuf al-Zeino dhe Ahmed al-Madhoun, njoftuan se po i afroheshin vendndodhjes dhe se do të kontrolloheshin nga forcat izraelite përpara se të hynin në zonë.

Kjo ishte hera e fundit që operatorët dëgjuan prej tyre dhe prej Hindit. Pas kësaj, lidhja telefonike me dy ndihmësit dhe me vajzën u ndërpre përgjithmonë.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze konfirmoi më vonë se të dy ndihmësit mjekësorë u vranë kur ambulanca u godit. Rasti i Hind Rajab u bë edhe subjekt i filmit “The Voice of Hind Rajab”, i cili u nominua për çmimin Oscar.

Komisioni i Hetimit i OKB-së e ka përmendur rastin e saj në një raport, duke e akuzuar Izraelin për krime lufte. Izraeli i ka mohuar këto akuza.

Pas njoftimit për hetimin, Fondacioni Hind Rajab, me seli në Bruksel, tha se nuk ka besim te hetimi. Organizata argumentoi se hetimet e brendshme izraelite janë të mangëta dhe nuk mund të konsiderohen mekanizma të besueshëm për vendosjen e përgjegjësisë.

IDF tha se, gjatë më shumë se një mijë ditëve të luftës, ka zhvilluar një numër të madh operacionesh ushtarake në një situatë jashtëzakonisht të ndërlikuar. Ushtria deklaroi se, në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe atë izraelit, shqyrton rastet e jashtëzakonshme që ndodhin gjatë luftimeve.

Vrasja e 15 palestinezëve

Përveç rastit të Hindit dhe familjarëve të saj, IDF njoftoi edhe hetim penal për vrasjen e 15 palestinezëve, pasi një njësi izraelite hapi zjarr ndaj ambulancave, një zjarrfikëseje dhe një automjeti të shënuar të OKB-së në zonën Tal al-Sultan në Rafah, në jug të Gazës, më 23 mars 2025.

Trupat e viktimave u gjetën një javë më vonë, të varrosura në varre të cekëta pranë automjeteve të dëmtuara.

Fillimisht, ushtria izraelite tha se trupat e saj kishin qëlluar ndaj “automjeteve të dyshimta” që lëviznin në errësirë pa drita dhe pa sinjale emergjence. Më vonë, ajo pranoi se ky version ishte i gabuar, pasi një video e gjetur në telefonin e një prej ndihmësve të vrarë tregonte se autokolona kishte dritat e emergjencës të ndezura.

IDF tha se, pas shqyrtimit të provave, mënyra e të shtënave krijonte dyshime të arsyeshme për shkelje penale, ndaj u vendos hapja e hetimit.

Në tre raste të tjera, përfshirë vrasjen e shtatë punonjësve të World Central Kitchen dhe katër punonjësve të Médecins Sans Frontières, ushtria izraelite tha se nuk kishte gjetur bazë për hetime penale.

Vendimi për të mos ndjekur penalisht përgjegjësit për vrasjen e punonjëses së World Central Kitchen, Zomi Frankcom, shkaktoi reagim nga Australia. Ministrja e Jashtme australiane, Penny Wong, tha se ishte e zemëruar dhe se vendimi ishte shumë larg nivelit të përgjegjshmërisë që priste Australia.

World Central Kitchen e dënoi gjithashtu vendimin dhe kërkoi një hetim të pavarur.

Ky është raporti i parë gjithëpërfshirës i IDF-së për krime të dyshuara lufte që publikohet që nga fillimi i luftës në Gaza, pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, më shumë se 73 mijë njerëz janë vrarë në Gaza që nga fillimi i fushatës ushtarake izraelite. OKB-ja i konsideron këto shifra të besueshme.

IDF po përballet me presion ndërkombëtar për të treguar se është në gjendje të hetojë dhe ndëshkojë vetë shkeljet e mundshme, veçanërisht në kuadër të presionit dhe procedurave ligjore ndërkombëtare.

Megjithatë, organizatat izraelite për të drejtat e njeriut thonë se hetimet penale ndaj ushtarëve izraelitë rrallë përfundojnë me dënime.

Ziv Stahl, drejtoreshë ekzekutive e organizatës izraelite për të drejtat e njeriut Yesh Din, tha se shumë pak raste përfundojnë me aktakuza dhe se, edhe kur ushtarët ose komandantët dënohen, dënimet janë zakonisht shumë të lehta në krahasim me rëndësinë e veprave të dyshuara.



Skip to toolbar