Irani kërcënon Bullgarinë: Të mos bashkëpunojë me SHBA kundër nesh

BOTA


Irani ka paralajmëruar Bullgarinë se do ta konsiderojë akt agresioni çdo bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara që mund të përdoret në një operacion kundër territorit iranian.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, tha se Sofja nuk duhet të lejojë përdorimin e territorit apo infrastrukturës së saj nga Shtetet e Bashkuara për operacione ushtarake kundër Iranit. Sipas tij, Teherani nuk do të tregojë tolerancë ndaj vendeve që i konsideron palë në një agresion.

Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Në qendër të shqetësimeve të Teheranit është edhe përdorimi i bazave në territorin bullgar nga avionë amerikanë të furnizimit me karburant.

Një tjetër pikë e debatit është Ngushtica e Hormuzit, një korridor strategjik për transportin e energjisë. Irani ka hedhur poshtë pretendimet se rruga detare është plotësisht e hapur dhe se përmes saj po transportohen miliona fuçi naftë çdo ditë. Teherani i ka cilësuar këto pretendime si pjesë të asaj që e quan “luftë komunikimi dhe propagandë”.

Edhe të dhënat për trafikun dhe eksportet përmes Hormuzit mbeten të diskutueshme. Shtetet e Bashkuara kanë pretenduar se flukset e naftës janë rritur ndjeshëm, ndërsa të dhënat e monitorimit të anijeve japin shifra më të ulëta.



Skip to toolbar