Televizioni publik malazez RTCG raporton se kryeministri Milojko Spajiç nuk kishte Shqipërinë në mendje kur foli për vende që mund të përfshihen në përpjekje destabilizuese ndaj Malit të Zi.
Sipas informacionit të dhënë RTCG-së nga burime qeveritare, Shqipëria nuk është vendi për të cilin po fliste kryeministri Spajiç. Reagimet për këtë çështje nisën pasi në publik u përhapën pretendime se Shqipëria ishte një prej vendeve të përfshira në paralajmërimin e kryeministrit malazez.
Sipas të njëjtave informacione, kryeministri shqiptar Edi Rama i ka kërkuar shpjegime Qeverisë së Malit të Zi lidhur me pretendimet se Shqipëria ishte një nga vendet për të cilat bëhej fjalë.
Burimet qeveritare të cituara nga RTCG bëjnë me dije se Podgorica i ka komunikuar Tiranës se një informacion i tillë ishte i pavërtetë.
Kështu, sipas televizionit publik malazez, një informacion i publikuar fillimisht në media kaloi në nivelin e një çështjeje diplomatike, pasi Shqipëria kërkoi sqarime zyrtare nga autoritetet malazeze.
RTCG thekson se burimi i informacionit që lidhi Shqipërinë me deklaratat e kryeministrit Spajiç ishte media malazeze “Vijesti”.
Pra, sipas burimeve të cituara nga televizioni publik malazez, Shqipëria nuk ishte vendi të cilit i referohej Spajiç në deklaratat për rrezikun e destabilizimit të Malit të Zi.
