Finlanda ka nisur stërvitjen më të madhe të mbrojtjes civile në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, në një kohë kur rriten shqetësimet se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të përhapet përtej kufijve të saj dhe të prekë vendet europiane të NATO-s.
Mbi 2 mijë qytetarë dhe rekrutë ushtarakë morën pjesë në stërvitjen e zhvilluar në qytetin Kuopio. Skenari simulonte situata lufte dhe sulme ndaj infrastrukturës kritike, duke përfshirë dëmtimin e rrjeteve të energjisë dhe ujit si pasojë e sulmeve kibernetike.
Gjatë stërvitjes, civilët u trajnuan për t’u strehuar në bunkerë nëntokësorë, të ndërtuar për t’i mbrojtur nga sulmet me raketa, si dhe nga kërcënimet kimike dhe bërthamore.
Autoritetet finlandeze theksojnë se mbrojtja kombëtare nuk mbështetet vetëm te ushtria, por edhe te përgatitja e qytetarëve. Popullsia duhet të jetë në gjendje të përballojë të paktën 72 orët e para të një krize në mënyrë të pavarur.
Pas anëtarësimit në NATO dhe ndërprerjes së importeve të karburantit rus, kompanitë energjetike në Finlandë kanë raportuar rritje të sulmeve kibernetike dhe raste të fluturimeve të dyshimta të dronëve pranë infrastrukturës energjetike.
Finlanda mban një sistem të detyrueshëm të shërbimit ushtarak, ndërsa përvoja e luftërave të saj me Bashkimin Sovjetik dhe zhvillimet e luftës në Ukrainë kanë ndikuar në forcimin e politikave të mbrojtjes dhe përgatitjes së popullsisë.
