Ëndrra amerikane nuk është dhe aq e ëmbël. Këtë të premte, Sali Berisha niset për në SHBA, pesë vite pas shpalljes non grata. Në aeroport për t’i sjellë fat e përcollën, Belind Këlliçi dhe djali i Fahriut. Kurse vetë doktori nuk i fshehu dot emocionet, edhe me shumë nostalgji si herën e parë kur udhëtoi me aeroplan drejt SHBA.
“Sot nisem për në Shtetet e Bashkuara po me atë bindje si në mars të 1991 se vendi i madh i lirisë do mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh ai.
Ndonëse vizën e ka marrë për konventën e IDU, doktori ka planifikuar dhe takime me emigrantët shqiptarë. Por aty e pret një tjetër surprizë.
Sali Berisha do të pritet me protestë në Nju Jork. Në rrjetet sociale, qarkullojnë thirrje per emigrantet shqiptare për tu mbledhur para godinës ku Berisha do të mbajë takimin me demokratët e ftuar nga PD.
Me një kryq të kuq, mesazhi është i qartë, “Berisha je non-grata dhe vendin e ke në burg.”
Non-grata është fakt, kurse berisha në burg, është karma që mesa duket doktorit po i kthehet për mbështetjen që vijon ti japë protestës së flamingove në bulevard kundër investimit në Zvërnec të dhëndrit të Presidentit të SHBA, Donald Trump.
Por duke hedhur akuza për Ramën, ironia e fatit e qëlloi që të dy të udhëtonin njëkohësisht nga i njëjti aeroport. Vetëm se Rama udhëton si kryeministër drejt Italisë, kurse Berisha ashtu si në vitin 1991, udhëton sërish si lider opozite, por ndryshe nga atëherë, këtë herë i është rezervuar vetëm një ulëse dhe disa foto, në një konvente ku Berisha është një në mijëra politikanë të ftuar.
