Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi ngjarjen e djeshme, ku dy biznesmenë u përfshinë në përplasje në qytetin e Vlorës.
Ai u shpreh se historia banale e përplasjeve mes ndërtuesve nuk mund ta pengojë kurrsesi misionin e Shqipërisë turistike.
“Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe nga ana tjetër një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë na ka bindur se jo vetëm duhet ti japim fund asaj historie por duhet edhe ti japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike.
Ata duhet të kuptojnë që nuk mund ta cenojnë me qasjet dhe me sjelljet e tyre lënduese, atë që është një mision I madh kombëtar, misioni ynë i Shqipërisë turistike, i cili shkon shumë përtej tranformimit fizik të vendit dhe u imponon të gjithë aktorëve të vet në radhë të parë nga investitorët te kamarierët, që të mendojnë dhe të sillen si ambasadorë të turizmit shqiptar edhe me njëri tjetrin” shprehet Rama.
Kryeministri u shpreh se prona për të cilin dyshohet se dy biznesmenët u përplasën në Vlorë do shpronësohet për interes publik. Ai tha se sipas ligjit, ajo sipërfaqe do të kthehet si një aset publik dhe turistik për të gjithë.
Më tej, kryeministri u shpreh se do të kthehet në ullishte e gjithë sipërfaqja, për të cilën lindi sherri në Vlorë.
