Një ngarkesë prej 100 kilogramësh kokainë, e fshehur mes një sasie trëndafilash me origjinë nga Kolumbia, është sekuestruar të mërkurën në aeroportin ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” në Athinë.
Operacioni u zhvillua nga oficerët e AADE-së, pas informacioneve të siguruara nga zyra e DEA-s në Athinë, Agjencia Amerikane Kundër Drogës, shkruajnë mediat greke.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar gjashtë persona, shumica prej tyre me shtetësi shqiptare. Katër prej të arrestuarve u kapën në aeroport, ndërsa dy të tjerët u arrestuan në zonën e Maratonës.
Sipas hetuesve, katër personat e arrestuar në aeroport kishin shkuar aty për të marrë ngarkesën me drogë. Ndërkohë, dy të arrestuarit në zonën e Maratonës dyshohet se kishin për detyrë të siguronin ruajtjen e kokainës pasi ajo të merrej nga aeroporti.
Në operacion dhe në hetimin e rastit morën pjesë edhe oficerë të Policisë Greke nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar.
Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur rolin e secilit prej të arrestuarve dhe për të identifikuar personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.


