Zelensky konfirmon takimin me Trump në fund të shtatorit

BOTA


Forcat ruse kanë goditur një qendër tregtare në qendër të Pavlohradit, në rajonin e Dnipros në Ukrainë, duke shkaktuar të paktën katër viktima dhe mbi 60 të plagosur, sipas autoriteteve ukrainase.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ivan Vyhivsky, deklaroi në Telegram se sulmi ndodhi në mes të ditës, kur në rrugët e qytetit kishte shumë njerëz.

“Rusët goditën një qendër tregtare në qendër të Pavlohradit. Në mes të ditës, kur kishte shumë njerëz në rrugë”, tha Vyhivsky.

Ndërkohë, kreu i administratës rajonale të Dnipros, Oleksandr Ganzha, konfirmoi se katër persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 60 të tjerë janë plagosur. Mes të plagosurve janë edhe tre fëmijë, 13, 14 dhe 15 vjeç.

Në zhvillime të tjera, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se pret të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Nju Jork në fund të shtatorit, në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për të rifilluar negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Besoj se në fund të shtatorit do të kemi mundësinë të takohemi me delegacionin amerikan në Nju Jork”, deklaroi Zelensky gjatë një konference për shtyp në Kanada. Ai shtoi se pas takimit me Trump mund të jetë “më i hapur” për çështjet që lidhen me negociatat për përfundimin e luftës.

Ndërkohë, Kremlini ka mohuar se ka pasur një kërcënim me dron ndaj avionit të Zelenskyt gjatë nisjes nga Moldavia dy ditë më parë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se një kërcënim i tillë “nuk ka ekzistuar kurrë”.

Peskov tha gjithashtu se kushtet e Rusisë për një marrëveshje paqeje me Ukrainën nuk kanë ndryshuar. Sipas tij, Moska kërkon që Ukraina të heqë dorë nga katër rajonet që Rusia pretendon se i ka aneksuar, Donetskun, Luhanskun, Zaporizhzhian dhe Khersonin, si dhe të heqë dorë nga synimi për t’u anëtarësuar në NATO.

Sipas zëdhënësit të Kremlinit, ndryshimi i vetëm gjatë dy viteve të fundit është se, sipas vlerësimit të Moskës, “situata në terren është bërë shumë më e keqe për Ukrainën”.



Skip to toolbar