“Vetëm qaja”, “Kishte britma si në një film horror”/ Çfarë kujtojnë amerikanët nga 11 Shtatori

BOTA


25 vjet pas sulmeve të 11 Shtatorit, kujtimet e atyre që i përjetuan mbeten ende të gjalla. Nga çastet e tmerrit deri te humbja e njerëzve të dashur, dëshmitë e të mbijetuarve rrëfejnë një nga ditët më tragjike të historisë moderne të Shteteve të Bashkuara.

Charles Wolf e kuptoi menjëherë se diçka nuk shkonte kur një avion fluturoi në lartësi të ulët mbi apartamentin e tij në Nju Jork, një mëngjes me diell, 25 vjet më parë. Vetëm pak sekonda më vonë, avioni u përplas me Kullën e Veriut të Qendrës Botërore të Tregtisë, ku punonte gruaja e tij, Katherine, me origjinë nga Swansea.

Katherine vdiq në çast. Ajo ishte një nga 2,977 personat që humbën jetën në sulmet terroriste të Al-Kaedës në Shtetet e Bashkuara, më 11 shtator 2001. “E kuptova menjëherë, sapo avioni kaloi mbi ndërtesën tonë, se ishte një avion reaktiv me dy motorë, që fluturonte me shpejtësi të plotë”, tha Charles, një pilot i trajnuar.

“E dija aq mirë këtë gjë, saqë telefonova FBI-në dhe u thashë: ‘Ky nuk ishte aksident, ishte i qëllimshëm’.”

Një vit më vonë, kur Charles takoi agjentin e FBI-së që kishte marrë telefonatën e tij, ai thotë se agjenti i tha: “Ti ishe personi i parë që na bëre të kuptonim se nuk bëhej fjalë për një aksident.”
Më pas, Charles udhëhoqi një fushatë për të siguruar që familjet e viktimave dhe personat në varësi të tyre të merrnin kompensim të drejtë. Ai thotë se gruaja e tij “e mrekullueshme” do të ishte krenare për atë që ai luftoi të arrinte.

I pakënaqur me Fondin e Kompensimit për Viktimat e 11 Shtatorit, të administruar nga qeveria amerikane, Charles ushtroi presion mbi autoritetet dhe arriti që fondet të shpërndaheshin në mënyrë më të drejtë dhe të përfitonin më shumë njerëz.

Historia e tij u bë më vonë subjekt i filmit të Netflix-it Worth, ku rolin e Charles Wolf e interpretoi aktori Stanley Tucci.

Janice Brooks ishte zhvendosur në Nju Jork vetëm pak javë para 11 Shtatorit, për të nisur atë që ajo e përshkruan si “aventurën më të madhe të jetës”. Ajo punonte për kompaninë Euro Brokers, në katin e 84-t të Kullës së Jugut. Mëngjesin e sulmeve, Brooks ndodhej në zyrë kur dëgjoi një shpërthim dhe pa “letra dhe pluhur që vërtiteshin në ajër”, ndërsa avioni i parë goditi Kullën e Veriut, tregon ajo për BBC Breakfast.

Teksa po evakuohej, avioni i dytë u përplas me ndërtesën me një “goditje të fuqishme”. Brooks dëgjoi “një nga ato britma që dëgjon në filmat horror”, kur një grua u godit nga mbeturinat dhe sytë iu mbuluan me gjak.

Ajo thotë se ajo britmë “i ka mbetur në kokë”. Kur më në fund arriti në katin përdhes dhe ngriti sytë drejt ndërtesës, pa një “boshllëk të madh” aty ku duhej të ishte kati ku ajo punonte.
Gjashtëdhjetë e një persona nga zyra e saj humbën jetën.

“Unë mora pjesë vetëm në 23 funerale”, thotë Brooks. “Duhej të isha përpjekur më shumë. Do ta mbaj me vete deri në varr faktin që i lashë në baltë.” Ajo thotë se që nga ajo ditë i ka dhënë vetes vetëm një detyrë: “Të bëj një jetë të mirë.”



Skip to toolbar