Kapet “i forti” i Shkodrës, akuzohet për vrasje e 22 grabitje

AKTUALITET


Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një ndër personat më problematikë në këtë rajon, i cili prej vitit 2017 kërkohej për vrasje, arratisje nga burgu, vjedhje me armë dhe vepra të tjera penale, ndërsa një vit më parë i kishte shpëtuar një tjetër operacioni policor, pasi ishte përfshirë në një konflikt me armë.

Policia e Shkodrës tha se kapja e Artan Koçekut, 29 vjeç, është realizuar gjatë operacionit të koduar “Dora e hekurt”, ndërsa lëvizte me pistoletën e mbushur, me fishek në fole, gati për të qëlluar dhe cilësohej me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Angjelin Shkambit më 17 dhjetor të vitit 2017, krim që e kreu, pasi mori leje 7 ditore të dyshimtë nga burgu i Peqinit, ku nuk u kthye më dhe është në kërkim prej dy vitesh.

Angjelin Shkambi dhe Artan Koçeku kanë qenë miq mes tyre, por sipas prokurorisë së Shkodrës, Koçeku i kishte dhënë disa vite më parë, 30 mijë euro borxh Shkambit. Viktima dhe autori i krimit njiheshin së bashku dhe se kanë pasur në disa raste marrëdhënie huaje financiare me njëri-tjetrin.

Ky person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në momentin e kapjes nga Forca e Posaçme “Shqiponjat”, ka tentuar të largohet me vrap, por është neutralizuar dhe shoqëruar në ambientet e  D.V.P Shkodër. Për këtë person, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 17 dhjetor 2017, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonte, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “pistoletë” me fishek në fole dhe një krehër me fishekë që i përkiste një arme tjetër zjarri tip “pistoletë”.

Gjithashtu, në automjet së bashku me këtë person, ka qenë edhe shtetasi  Rr. D.,  24 vjeç, banues në Tiranë, i cili u arrestua në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit” .

Artan Koçeku, i cili kishte përfituar leje shpërblimi nga burgu i Peqinit ku vuante dënimin për ngjarjen e ndodhur në vitin 2013, për veprën penale “vjedhja me armë”, nuk u paraqit në vendin e vuajtjes së dënimit në ditën e caktuar. Gjatë kësaj kohe, ky person ka vrarë me armë zjarri shtetasin Angjelin Shkambit, 35 vjeç, banues në Pulaj, Velipojë, Shkodër.

I njëjti person në vitin 2018 është përfshirë në një konflikt me armë, dhe gjatë ndjekjes nga policia, ka braktisur mjetin në fshatin Shtoj i Ri dhe ka mundur të largohet.

Artan Koçeku është i njohur për policinë e Shkodrës. Para disa viteve, pikërisht në 2013-n, bashkë me 2 vëllezër të një familjeje tjetër, i kanë vënë tritol në makine efektivit të policisë Pavlo Vuksani. Po ashtu, ai bashkë me katër persona të tjerë që u arrestuan në vitin 2013 për eksplozivin ndaj policit, dyshohen edhe për 22 grabitje me armë, vjedhje automjetesh dhe banesash.

Bashkë me Koçekun, i cili ishte dënuar edhe më parë për vjedhje, në atë kohë u arrestuan Pashko Qarri, 20 vjeç, i dënuar disa herë për vjedhje, Mikel Thani, 23 vjeç, i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe Marjan Thani, 23 vjeç, i padënuar më parë.



Skip to toolbar