‘Jep dorëheqjen’- Rama i kujton Tabakut masakrën e “21 janarit”: Sot protestohet në të njëjtin bulevard ku janë vrarë e plagosur qytetarë

Më të fundit


Protesta e qytetarëve solli një tjetër përplasje në Kuvend mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes së PD-së, Jorida Tabaku.

Ajo i kërkoi Ramës të dëgjojë protestuesit që, sipas saj, prej 110 ditësh kërkojnë dorëheqjen e tij.

Kryeministri iu përgjigj duke kujtuar 21 Janarin, kur katër protestues u vranë në bulevard, dhe tha se sot qytetarët protestojnë në të njëjtin vend pa u cenuar. Rama ironizoi edhe opozitën, duke e quajtur “sëmundje ngjitëse e humbjes kronike”.

“Kur t’i kesh 110 ditë poshtë derës protestuesit e të thuash ‘na përzënë ne’… Provo njëherë, dil atje, se kanë provuar këta të tutë dhe i kanë tërhequr zvarrë. Së dyti, në vend që t’i dëgjosh e t’i marrësh si këmbanë alarmi ato që kërkojnë njerëzit atje, sillesh përsëri me të njëjtën arrogancë që i ka sjellë ata njerëz të dalin atje në shesh. Sot ka një thirrje të qytetarëve dhe thirrja është: ‘Rama, jep dorëheqjen!’ Dëgjoje, meqenëse dëgjon turmën, edhe zbato kërkesat e tyre”, tha Tabaku.

Kurse Rama u përgjigj në replikë:

“Zonja Tabaku, ju nuk ishit kur unë bëra replikën për gjithë përsëritjet tuaja, me trupin që drithërohej, për ‘100 ditë protesta, 100 ditë protesta’, dhe dua t’jua përsëris edhe kështu në sy. Kur qytetarët protestojnë poshtë dritares së qeverisë, quhet demokraci dhe kur e bëjnë këtë pa u hyrë gjemb në këmbë, quhet krenari. Aq më tepër kur e bëjnë në po atë bulevard ku janë vrarë dhe janë plagosur. Por kur qytetarët që protestojnë i thonë opozitës dhe juve personalisht ‘largohu’, atëherë është një sëmundje ngjitëse që ajo protestë nuk e do. Dhe nuk kanë faj, sepse ju jeni një sëmundje ngjitëse e humbjes kronike. Kush ju afrohet, humb, humb, humb”.



Skip to toolbar