Shqipëria ka dënuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, shprehu indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me vendimin, duke e cilësuar atë si të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në deklaratën e tij, Peleshi theksoi se lufta e UÇK-së duhet parë në kontekstin e përpjekjes së popullit të Kosovës për çlirim.
“Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me një vendim që e konsideron të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit”, thuhet në reagim.
Peleshi nënvizoi gjithashtu se Shqipëria qëndron pranë Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke vlerësuar kontributin e UÇK-së në historinë e çlirimit të Kosovës.
“Pa luftën e UÇK-së kundër pushtuesit serb, historia e çlirimit të Kosovës nuk mund të kuptohet. UÇK-ja çoi në çlirimin e Kosovës. Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë të pandashëm nga lufta për çlirim. Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Shprehim shqetësimin e thellë për standardet e dyfishta.
Qëndron kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë. Qëndron në solidaritet me Kosovën, si edhe pranë Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit dhe familjeve të tyre.
UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Nuk është fjala e fundit. Kuvendi pret që të gjitha shkallët e procesit të ndiqen deri në fund. Kuvendi angazhohet që, në të gjitha forumet ndërkombëtare, të denoncojë aktet e gjenocidit serb në Kosovë, të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të dënojë mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve. Të koordinojë veprimet me Kuvendin e Kosovës dhe u bën thirrje dy qeverive që gjithashtu të koordinojnë veprimet, me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale.”, tha ai.
DEKLARATA E PLOTË:
Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me një vendim që e konsideron thellësisht të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe genocidit të kryer nga regjimi i Slobodan Milosheviçit. Pa luftën dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtimit gjakatar serb, historia e çlirimit të Kosovës nuk mund të kuptohet. UÇK-ja ishte forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës dhe e rrugës që çoi drejt çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së saj. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga lufta për çlirim dhe nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së saj.
Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së.
Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për standardet e dyfishta në trajtimin e së kaluarës së përgjakshme të rajonit. Nderimet publike dhe shtetërore që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte, si edhe glorifikimi i figurave të lidhura me gjenocidin dhe spastrimin etnik, përfshirë Ratko Mladiçin, cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat europiane.
Kuvendi qëndron kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht këtë proces, për të relativizuar krimet e regjimit të Miloševićit dhe për të delegjitimuar luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.
Kuvendi i Shqipërisë qëndron në solidaritet të plotë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, si dhe pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre.
E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.
Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund, duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të procesit të rregullt ligjor.
Kuvendi i Shqipërisë angazhohet që:
Në të gjitha forumet ndërkombëtare të denoncojë krimet e regjimit serb të Slobodan Milosheviçit në Kosovë, përfshirë aktet gjenocidale, krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës; të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të dënojë mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve, vendosjen e përgjegjësisë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat.
Të koordinojë veprimet me Kuvendin e Kosovës, dhe i bën thirrje të dyja Qeverive tona që gjithashtu të koordinojnë veprimet, me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale.


