Prokuroria e Fierit ka vijuar hetimet për një skemë të dyshuar të përfitimit dhe regjistrimit të kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar ish-drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, Ertis Shehu, dhe Ervin Habilaj, i dyshuar si përfitues i pronave, ndërsa për një ish-hartograf pranë ASHK-së Fier është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore”.
Hetimet kanë nisur në kuadër të procedimit penal për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Çeshtja lidhet me një vendim të vitit 2008 të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që njihte të drejtën e kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore në zonën e Levanit dhe Dërmënasit.
Një prej trashëgimtarëve përfitues, Ervin Habilaj, kishte përfituar në vitin 2018 kompensim financiar në vlerën 53.8 milionë lekë. Pavarësisht këtij kompensimi, hetuesit dyshojnë se gjatë vitit 2023 ai ka ndjekur procedurat për regjistrimin e gjashtë pasurive në zonën kadastrale nr. 2436, me sipërfaqe totale rreth 71.7 hektarë.
Nga hetimi janë evidentuar gjithashtu veprime të ish-drejtorit të ASHK Fier, Ertis Shehu, dhe ish-hartografit Emiljano Ruka, lidhur me trajtimin administrativ dhe kadastral të dokumentacionit të përdorur për regjistrimin e këtyre pasurive.
Pas regjistrimit, disa prej pronave dyshohet se janë tjetërsuar përmes shitjes, duke gjeneruar të ardhura në vlera të konsiderueshme. Prokuroria vijon verifikimet për këto transaksione, gjurmimin e vlerave monetare dhe përcaktimin e destinacionit të tyre.
Në kuadër të hetimeve, që drejtohen nga prokurorja Iva Hoxha, janë sekuestruar gjithashtu 715 mijë e 976 euro, të depozituara në llogarinë bankare të Ervin Habilajt. Po ashtu, janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera që do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të çështjes, identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë dhe individualizimin e përgjegjësisë penale.


