Shqipëria firmos me NASA/ Bëhet pjesë e marrëveshjeve Artemis për eksplorimin e hapësirës

#NËRADAR


Shqipëria do t’i bashkohet zyrtarisht Marrëveshjeve Artemis, një nismë ndërkombëtare e udhëhequr nga NASA dhe Shtetet e Bashkuara për bashkëpunimin në eksplorimin paqësor të hapësirës.

Ceremonia e nënshkrimit do të zhvillohet të hënën, më 21 shtator, në orën 18:00, në selinë e NASA-s. Me këtë hap, Shqipëria do të bëhet vendi i 73-të që i bashkohet Marrëveshjeve Artemis.

Me anëtarësimin në këtë nismë, Shqipëria do të bashkëpunojë me vendet e tjera në fushën e hapësirës. Kjo do të thotë shkëmbim informacioni dhe njohurish shkencore, bashkëpunim në projekte dhe respektim i rregullave të përbashkëta për përdorimin paqësor dhe të sigurt të hapësirës.

Përmes këtij bashkëpunimi, institucionet, universitetet dhe studiuesit shqiptarë mund të kenë mundësi të marrin pjesë në projekte dhe të shkëmbejnë njohuri me partnerë ndërkombëtarë.

Marrëveshjet u krijuan në vitin 2020 nga Shtetet e Bashkuara, përmes NASA-s dhe Departamentit të Shtetit, së bashku me shtatë vendet e tjera themeluese. Ato synojnë të vendosin një grup parimesh të përbashkëta për eksplorimin civil të Hënës, Marsit dhe hapësirës përtej tyre.

Parimet e tyre mbështeten në Traktatin e Hapësirës së Jashtme dhe në dokumente të tjera ndërkombëtare që rregullojnë aktivitetet në hapësirë.

Mes tyre janë përdorimi paqësor i hapësirës, regjistrimi i objekteve hapësinore, shkëmbimi i të dhënave shkencore, ndihma në raste emergjencash dhe shmangia e ndërhyrjeve të dëmshme mes misioneve.



Skip to toolbar