Kryeministri Edi Rama ndodhet prej ditës së shtunë në Shtetet e Bashkuara, ku sot më 25 shtator pritet të jetë një nga folësit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Fjalimi i tij është parashikuar të mbahet në orën 17:00. Nuk dihet se çfarë do të flasë kryeministri, por një nga çështjet më të debatueshme mbetet ajo e dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ka shkaktuar revoltë e pakënaqësi në mesin e shqiptarëve.
Gjatë qëndrimit në SHBA, kryeministri ka zhvilluar edhe një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Michigan.
Gjatë fjalimit në Michigan, kreu i qeverisë foli përpara shqiptarëve për çështjet më të rëndësishme të vendit. Duke komentuar dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, kryeministri tha se çlirimtarët “u varrosën për së gjalli”.
“Shqipëria në këtë mes nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa t’i rrijë në krah Kosovës, por sidoqoftë të zgjedhurit e popullit do të vendosin të refuzojnë varrosjen për së gjalli të atyre 4 burrave. Unë besoj se respektimi i detyruar i vendimit të gjykatës nuk e pengon kurrsesi refuzimin e asaj varrosjeje si një fatalitet pa apel”, tha Rama më 21 shtator.
Punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së zhvillohen nga data 22 deri më 28 shtator. Në këtë vizitë, kryeministri Rama shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, si dhe nga delegacioni zyrtar shqiptar.


