Presidenti amerikan Donald Trump është urdhëruar nga gjykata të rivendosë aksesin në Shtëpinë e Bardhë për gazetarët e CNN, MS NOW dhe Politico.
Gjykata ka vlerësuar se ndalimi i gazetarëve nuk është në përputhje me mbrojtjet kushtetuese për lirinë e shtypit.
Përplasja nisi më 18 shtator, kur administrata Trump njoftoi se gazetarët e CNN, MS NOW dhe Politico nuk do të lejoheshin më në Shtëpinë e Bardhë. Një ditë më pas, gazetarëve iu ndalua hyrja në kompleks dhe kredencialet e tyre u çaktivizuan.
Tre mediat iu drejtuan gjykatës, duke argumentuar se vendimi përbënte diskriminim për shkak të këndvështrimit editorial dhe shkelje të Amendamentit të Parë dhe të Pestë të Kushtetutës amerikane.
Trump e kishte justifikuar publikisht vendimin duke akuzuar këto media për publikimin e raportimeve të rreme. Shtëpia e Bardhë kishte pretenduar gjithashtu se ato kishin shkelur standardet e profesionalizmit dhe etikës që kërkohen nga gazetarët me akses në kompleks.
Administrata amerikane kishte ngritur edhe shqetësime për sigurinë kombëtare, duke pretenduar se mediat kishin publikuar informacione sensitive ose të klasifikuara.
Avokatët e mediave e kanë kundërshtuar këtë argument, duke deklaruar se çështja e sigurisë kombëtare ishte ngritur vetëm pasi vendimi për përjashtimin ishte marrë dhe se arsyeja reale, sipas tyre, lidhej me përmbajtjen e raportimeve.
Vendimi i gjykatës rikthen tashmë aksesin e gazetarëve të tre mediave në Shtëpinë e Bardhë dhe hap një tjetër përballje ligjore mes administratës Trump dhe organizatave mediatike.


