Një goditje e fortë për Nigel Farage dhe partinë e tij “Reform UK”. Sondazhi më i fundit i YouGov për The Times dhe Sky News, e rendit partine laburiste ne 23 për qind, ndërsa Reform UK dhe Partinë Konservatore në 21 për qind secila. Për Reform UK, kjo është shifra më e ulët e regjistruar nga YouGov që prej rifillimit të matjeve të saj në janar 2025.
Kjo situatë vjen pas një periudhe kur Reform UK kryesonte disa sondazhe dhe regjistronte shifra më të larta. Në korrik, partia e Farage ishte në 25 për qind në një sondazh të YouGov, përpara konservatorëve me 21 dhe Labour me 20 për qind.
Por gjatë muajve të fundit diferencat mes tre forcave kryesore janë ngushtuar. Në sondazhin e fundit, Reform UK ka humbur dy pikë krahasuar me matjen e mëparshme, ndërsa konservatorët kanë fituar një pikë dhe Labour ka ruajtur të njëjtën mbështetje.
Në të njëjtën kohë, partia është përballur me një polemikë mbi financimin e sondazheve. Një hetim i Channel 4 ka pretenduar se figura të larta të Reform UK kishin rënë dakord që një kompani amerikane të paguante më shumë se 30 mijë paund për tre sondazhe të porositura nga partia.
Dy figura të larta të Reform UK janë larguar nga postet e tyre pas publikimit të hetimit, ndërsa partia ka njoftuar se do të kryejë një shqyrtim të brendshëm.
Polemikat janë shoqëruar edhe me rënie të vlerësimeve personale për Nigel Farage. Sipas analizës së Sky News, miratimi mesatar për liderin e Reform UK ka rënë gjatë vitit të fundit, ndërsa mbështetja për partinë është luhatur dhe gara me Laburistet dhe konservatorët është bërë më e ngushtë.


