Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama në Tiranë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ajo theksoi rëndësinë e hapjes së grupkapitujve të negociatave dhe mbylljen e tre kapitujve të parë në muajin korrik, duke nënvizuar se vendi është përafruar plotësisht (100%) me politikën e jashtme dhe të sigurisë së unionit.
“Shqipëria sërish ka bërë ecuri fantastike, keni hapur grupkapitujt e fundit. I siguroj shqiptarët, anëtarësimi nuk do ta bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe BE-në më të fortë”, tha von der Leyen.
Reformat e brendshme dhe gjithëpërfshirja
Sipas saj, pavarësisht arritjeve, procesi i integrimit kërkon zbatimin e plotë dhe të vazhdueshëm të reformave thelbësore në sektorë si drejtësia, kuadri zgjedhor dhe mbrojtja e mjedisit. Presidentja e KE-së theksoi se realizimi i këtyre ndryshimeve për të sjellë rezultate të prekshme te qytetarët kërkon një bashkëpunim të gjerë shoqëror dhe politik.
“Kjo kërkon angazhim të vërtetë përtej ndasive politike e dialog me shoqërinë për t’iu përgjigjur të gjitha shqetësimeve të saj.”, theksoi ajo.
Zhvillimi ekonomik dhe plani i rritjes
Një dimension thelbësor i vizitës u ndal te përfitimet ekonomike përmes Planit të Rritjes së BE-së. Shqipëria ka plotësuar shumicën dërrmuese të reformave të kërkuara, duke përfituar mbështetje financiare dhe duke u integruar gradualisht në tregun evropian. Në këtë kuadër, u vlerësua anëtarësimi i vendit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) – që synon uljen drastike të komisioneve bankare për bizneset – si dhe angazhimi konkret për heqjen e tarifave roaming.
“Shqipëria po ecën mirë sa i përket Planit të Rritjes. Keni përmbushur 80% të reformave, keni marrë 213 milionë euro fonde. Ju jeni bërë pjesë e SEPA-s. Po punojmë për uljen e tarifave roaming.”, theksoi tha von der Leyen.
Infrastruktura arsimore dhe programi “BE për Shkollat”
Zyrtarja e lartë evropiane solli në vëmendje edhe mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian në tejkalimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019. Përmes programit “BE për Shkollat”, është bërë i mundur rindërtimi i dhjetëra institucioneve arsimore, si një dëshmi e solidaritetit evropian ndaj Shqipërisë.
“Programi BE për shkollat është një program që vërtetë më pëlqen shumë. Me anën e këtij programi u rindërtuan apo rikonstruktuan 63 shkolla, mes të cilave edhe “Emin Duraku”. Me shumë kënaqësi pres vizitën nesër.”, theksoi ajo.
Përgatitja e institucioneve evropiane për zgjerimin
Në përfundim të fjalës së saj, von der Leyen theksoi se zgjerimi është një proces dypalësh. Për këtë arsye, edhe vetë Bashkimi Evropian po përgatitet për të mirëpritur anëtarë të rinj.
Ajo paralajmëroi se javën e ardhshme Komisioni do të paraqesë rishikimet e politikave të zgjerimit, të cilat do të prekin funksionimin e institucioneve, politikat e përbashkëta dhe buxhetin e unionit, duke siguruar që vlerat demokratike dhe sundimi i ligjit të mbeten të pacenueshme.


