“10 grupe verifikimi”/ Rama: Qeveria do ndihmojë bizneset e vogla të dëmtuara nga protestat, aplikimi në e-Albania

#NËRADAR


Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se qeveria do t’u vijë në ndihmë të gjitha bizneseve të vogla që kanë pësuar dëme gjatë protestave të dhunshme.

Në një videomesazh të publikuar në Facebook, Rama bëri të ditur se po kryhen verifikimet dhe se bizneset do të kenë mundësi të regjistrojnë dëmet përmes një dritareje të posaçme në platformën e-Albania.

Sipas kryeministrit, bizneset e dëmtuara do të duhet të plotësojnë të dhënat e identifikimit, përfshirë emrin, mbiemrin, identitetin dhe NIPT-in, si dhe adresën e emailit, numrin e telefonit dhe informacionet mbi dëmin e pësuar. Aplikuesit do të duhet të deklarojnë sipërfaqen e biznesit, kompaninë e sigurimit, nëse kanë një të tillë, si dhe vlerësimin paraprak të dëmit. Gjithashtu, do të kërkohet ngarkimi i dokumentacionit përkatës, përfshirë fotografitë dhe faturat që dëshmojnë dëmet.

“Po bëjmë verifikime. Kemi bërë gati një dritare që do të shfaqet tek e-Albania, ku do të mund të regjistroheni duke futur të gjitha të dhënat”, deklaroi Rama, duke shtuar se do të kontrollohet edhe situata e bizneseve lidhur me pagesën e detyrimeve ndaj shtetit.

Rama njoftoi gjithashtu se 10 grupe verifikimi nga administrata tatimore do të dalin në terren në kryeqytet për të mbledhur të dhënat mbi dëmet e shkaktuara në bizneset e vogla.

“Kemi bërë gati një dritare që do të shfaqet tek e-Albania, ku do të mund të regjistroheni duke futur të gjitha të dhënat: emër, mbiemër, identitetin dhe NIPT-in. E-mailin, numrin e celularit, të dhëna si sipërfaqja, kompania e sigurimit, parashikimi i dëmit dhe më pas do të ngarkoni dokumentet, që janë pamjet, bashkë me faturat. Do të shikohet edhe raporti me shtetin sa i përket pagesave të detyrimeve. Pasi të bëjmë verifikimet, do të mbledhim një regjistër të të gjitha dëmeve. Ne do t’ju vijmë në ndihmë të gjithëve.

Çdo biznes që është dëmtuar nga vala e dhunës së verbër ka një dritare ku do të mund të regjistrojë dëmin. Siç u thashë miqve të dëmtuar në këtë biznes të vogël, 10 grupe verifikimi nga Tatimet do të jenë në terren për të mbledhur të dhënat e dëmeve mbi biznesin e vogël në kryeqytet. Do t’i kthejmë gërmadhat e verbërisë në shembuj të forcës”, shtoi kryeministri.



Skip to toolbar