Mbi 15 filiale bankash janë dëmtuar nga aktet e dhunës së ditëve të fundit, duke goditur hapësirat ku qytetarët marrin pagat apo kryejnë transaksione bizneset .
Disa prej institucioneve bankare që operojnë në kryeqytet kanë njoftuar se disa prej filialeve të tyre do vijojnë të jenë të mbyllura , për shkak të dëmtimit të ambjenteve si pasojë e akteve të dhunës të regjistruara gjatë dy ditëve të protestave.
Në Tiranë disa degë bankash janë dëmtuar, ndërsa janë raportuar edhe raste të plaçkitjes së bankomateve. Për këtë arsye, bankat e nivelit të dytë kanë njoftuar klientët se gjatë ditës së premte, disa prej degëve të tyre, kryesisht në zonën e qendrës së kryeqytetit, do të qëndrojnë të mbyllura përkohësisht.
Vendimi është marrë në kuadër të masave për garantimin e sigurisë së klientëve dhe punonjësve, si dhe për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në ambientet dhe pajisjet bankare.
Ndërkohë, Shoqata Shqiptare e Bankave ka reaguar lidhur me situatën, duke theksuar se dëmet e shkaktuara janë materiale. Sipas saj, shkatërrimi i ambienteve apo dëmtimi i pajisjeve nuk cenon depozitat e klientëve dhe as funksionimin e sektorit bankar në vend.
Për klientët që kanë nevojë të kryejnë veprime bankare, këshillohet që të përdoren aplikacionet online në mënyrë që të shmangin vonesat dhe vështirësitë gjatë marrjes së shërbimeve.
Pritet që aktiviteti i filialeve të prekura të rikthehet gradualisht, në varësi të situatës së sigurisë dhe përfundimit të verifikimeve për dëmet e shkaktuara.


