Moti i përkeqësuar ka vënë në vështirësi disa rajone të Evropës Perëndimore. Stuhia “Austen” ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për qindra mijëra abonentë në Francë dhe mijëra të tjerë në Britaninë e Madhe, ndërsa erërat e fuqishme kanë penguar qarkullimin në rrugë, hekurudha dhe aeroporte.
Me shpejtësi që kanë arritur deri në 179 kilometra në orë, erërat kanë rrëzuar pemë dhe kanë shpërndarë mbeturina në rrugë, duke vështirësuar lëvizjen dhe duke shtuar rrezikun për udhëtarët.
Rreth 300 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike në Francë, sipas kompanisë Enedis. Zonat e Bretanjës dhe Normandisë janë ndër më të prekurat nga ndërprerjet.
Pasojat janë ndier edhe në transport. Linjat hekurudhore në Normandi janë pezulluar, ndërsa udhëtimet me tren drejt dhe nga Parisi janë përballur me vështirësi. Në trafikun ajror, disa fluturime të planifikuara për në aeroportin Charles de Gaulle janë devijuar drejt aeroportit Orly.
Shërbimi meteorologjik francez ka aktivizuar alarme portokalli në pjesën më të madhe të veriperëndimit, duke paralajmëruar vijimin e kushteve të rrezikshme atmosferike.
Ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën për rikthimin e energjisë elektrike në rreth 12 mijë banesa të prekura në Britani, autoritetet po përgatiten për mbërritjen e stuhisë “Boelo”.
Sistemi i ri atmosferik pritet të sjellë reshje të dendura dhe erëra të forta në Irlandën e Veriut, Skoci dhe në disa pjesë të Anglisë veriore gjatë fundjavës. Në zonat më të ekspozuara, shpejtësia e erës mund të arrijë nga 112 deri në 129 kilometra në orë.


