Në Francë, pas trazirave të rënda që përfshinë disa qytete, në shënjestër të kritikave politike është vendosur partia e së majtës radikale, Franca e Papërkulur, e drejtuar nga Jean-Luc Mélenchon. Kryeministri francez Sébastien Lecornu e ka akuzuar këtë forcë politike për nxitjen e një klime përplasjesh dhe kaosi.
Por polarizimi politik nuk kufizohet vetëm te e majta radikale. Edhe forcat e ekstremit të djathtë në Europë kanë përdorur protestat, pakënaqësinë publike dhe përplasjet mbi emigracionin e sigurinë për të mobilizuar mbështetësit e tyre në akte të dhunshme.
Një tjetër debat është ndezur në Britaninë e Madhe, pasi udhëheqësit e Partisë së Gjelbër në Londër po i inkurajojnë njerëzit “të frymëzuar nga protestat në Francë ” të bashkohen me një tubim kundër masave shtrënguese në kryeqytet.
Thirrja u publikua fillimisht nga Florence Schechter, këshilltare e të Gjelbërve dhe anëtare e kabinetit të Bashkisë së Hackney-t, mesazhi u shpërnda më pas edhe nga dega lokale e Partisë së Gjelbër.
Ajo që ka shkaktuar polemika është pikërisht referimi te protestat në Francë, ku demonstratat e nisura nga pakënaqësia e studentëve për kushtet në shkolla u përshkallëzuan në trazira, grabitje masive dhe akte vandalizmi në disa qytete.
Thirrja e të Gjelbërve ka nxitur reagime të forta nga kundërshtarët politikë. Përfaqësues të Partisë Laburiste në Hackney e cilësuan të papërgjegjshme lidhjen e marshimit në Londër me protestat franceze, duke paralajmëruar se krahasime të tilla mund të shtojnë frikën dhe përçarjen në një kohë tensionesh të larta.
Edhe një ish-këshilltar i bashkisë e kritikoi ashpër mesazhin, duke argumentuar se djegia e ndërtesave publike dhe trazirat nuk mund të paraqiten si frymëzim për mobilizim qytetar. Ai kujtoi gjithashtu se protestat e dhunshme në Hackney në të kaluarën u kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme bizneseve lokale.
Marshimi në Londër është planifikuar për të martën, më 27 tetor, përpara selisë së kryeministrit britanik. Teksa Europa, dhe jo vetëm , po përballet me shkatërrim dhe terror nga protestat, nxitja e akteve të dhunës nga partitë politike po ngre shqetësim gjithnjë e më të madh.


