Raport progres pozitiv për Shqipërinë. Marta Kos: Jemi në rrugën e duhur

#NËRADAR


Brukseli flet shqip, edhe të mërkurën. Në Parlamentin Europian, komisionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos zbuloi Paketën e Zgjerimit, me udhërrëfyesin e posaccëm për Shqipërinë. Tashmë mbyllja e negociatave në dhjetor 2027 nuk është më objektiv, është detyrim.

“Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj dhe po punon për përmbushjen e kritereve përmbyllëse për kapituj të tjerë. Në të njëjtën kohë, do të na duhet të shohim një vijimësi të përqendrimit te përparimi në fushat kyçe. Kjo është e rëndësishme që Shqipëria të përmbushë objektivin e saj ambicioz, por të arritshëm, për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027. Në qendër të çdo përpjekjeje për reforma duhet të jenë sundimi i ligjit, një gjyqësor i pavarur, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore. Përparimi në çështjet mjedisore duhet të jetë gjithashtu prioritet”, u shpreh Kos.

Vlerësimi pozitiv i Marta Kos për Shqipërinë. nuk ishte thjesht një perceptim persona, por institucional. Në të njëjtën kohë, kur Kos raportonte në Parlamentin Europian, Komisioni Europian publikoi progres raportin e Shqipërisë për 2026, që konfirmonte pikërisht datën e udhërrëfyesit të zbuluar nga Kos.

“Autoritetet shqiptare ruajtën angazhimin e tyre të vendosur ndaj qëllimit strategjik të integrimit në BE, si përparësia kryesore e vendit, me qëllim mbylljen e të gjitha kapitujve të negociatave, deri në fund të vitit 2027. Ruajtja e këtij momenti do të kërkojë zbatim të shpejtë të reformave me cilësi të lartë që lidhen me BE-në”, thuhet në raport.

Por si duket Tirana nga Brukseli. Problemi nuk duket qeveria, por parlamenti.

“Qeveria vazhdoi të shfaqte përkushtimin e saj ndaj integrimit në BE. Parlamenti mund t’i ushtrojë kompetencat e tij, përfshirë kontrollin mbi ekzekutivin dhe përfshirjen në procesin legjislativ, në një mënyrë pjesërisht efektive. Mungesa e një dialogu të mirëfilltë politik dhe e aktiviteteve të konsultimit publik, si dhe përplasjet midis shumicës qeverisëse dhe opozitës, vazhduan të kufizojnë efektivitetin e tij”, citohet në raport.

Protestat e këtij viti në Tiranë, përmenden 19 herë në raportin e KE. Me një gjithë diplomatike, KE i respekton protestën, duke u quajtur një herë ambientaliste e një herë studentore. Por nuk fal dhunën e mes tetorit.  Rruga e vetme sipas KE, mbetet dialogu.

“Protestuesit shkaktuan dëme në pronën publike dhe private, ndërsa më pas u ngritën pretendime se policia kishte ushtruar dhunë të tepruar ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Deri më tani, nuk është zhvilluar asnjë dialog. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u përfshirë në një dialog konstruktiv” thekson raporti.

Dhe ndryshe nga qershori, flamingot tashmë janë lënë pas. BE nuk përmend në asnjë rresht investimin e Kushner në Zvërnec. I kërkon qeverisë të si ligjet dhe investimet ti ketë në përputhje me standardet europiane.

“Shqipëria duhet në veçanti të arrijë harmonizimin dhe zbatimin e direktivave mbi vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe vlerësimin strategjik mjedisor. Plane financimi për investime prioritare mjedisore; të sigurojë që të gjitha investimet në infrastrukturë dhe turizëm të jenë në përputhje me acquis të BE-së për mjedisin dhe klimën” thuhet në raport.

Në përgjithësi, progres raporti për Shqipërinë është pozitiv, edhe në fushën më kritike të saj, drejtësia. Lufta kundër korrupsionit është mbi nivel mestar, SPAK ëshë një strukturë e pavarur dhe me rezultate pozitive në goditjen e korrupsionit në nivele të larta.

Por ky progres, është shënuar në vitin më të vështirë të Shqipërisë prej 1997. Prej qershorit, në Tiranë mbahen protesta, herë shumë modeste, e herë shumë të dhunshme. Por raporti i Brukselit, tregon se Shqipëria megjithatë nuk gjunjëzohet, as flamingot, as maskat, nuk e ndalin objektivin historic për tu bërë pjesë e familjes europiane./abcnews.al



Skip to toolbar