PD mbron Metën, Gjata: Nuk ka shkelur Kushtetutën, shkarkimi është propagandë

AKTUALITET


Partia Demokratike, ashtu si dhe LSI, i ka dalë zyrtarisht në mbrojtje Presidentit të Republikës Ilir Meta, për të cilin është ngritur Komisioni Hetimor Parlamentar, për të hetuar shkeljet kushtetuese dhe më pas të propozojë shkarkimin e Presidentit në Kuvend. Në një dalje për mediat nga Selia Blu, Çlirim Gjata u shpreh se Presidenti nuk ka bërë asnjë shkelje. Sipas tij, dekreti për anulimin e zgjedhjeve është diçka normale.

“Presidenti nuk ka bërë asnjë shkelje. Ai ka vendosur datë demokratike, ka vendosur dekret normal. Kemi Komision Hetimor të ngritur në bashkëpunim me krimin e organizuar që do të hetojë dekretin e presidentit, që është akoma në fuqi.  Shkarkimi i Metës është vetëm propagandë. Rama duhet t’i tregojë popullit se aktorët kryesorë të komisionit për shkarkim të presidentit janë të përlyer në krim”, u shpreh Gjata.

Kjo deklaratë e PD-së, vjen pas mbledhjes të së hënës të Komisionit Hetimor, ku anëtarët e tij, kërkuan që hetimi për shkeljet kushtetuese të Ilir Metës, të bëhej edhe me asistencën e një eksperti ndërkombëtar. Gjithashtu, në mbledhjen e së hënës, anëtarët e Komisionit Hetimor, kërkuan që të kenë akses në të dhënat e cilësuara “sekrete”, në mënyrë që shkarkimi i kreut të shtetit, të mos jetë vetëm për shkeljet e Kushtetutës, por të bazohet dhe në të dhëna të tjera.



Skip to toolbar