Vendimi për shkarkimin ose jo të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gentian Osmani, do të merret nga KPA në datën 24 korrik. Të hënën ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor i kërkesës së Komisionerit Publik, që riktheu për Vetting prokurorin e Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, që gjithashtu është dhe anëtar i KLP.
Osmani është një nga prokurorët me përvojë, që kaloi Vettingun vitin e kaluar, duke mbajtur detyrat që kishte, si dhe duke u bërë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Megjithatë, pasi kaloi Vettingun në Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit, me kërkesë të Komisionerit Publik, pas vrejtjeve të ONM, emri i Gentian Osmanit u rikthye për rishqyrtim në Komisionin e Posaçëm të Apelimit.
Tashmë KPA ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor për prokurorin Osmani, duke pranuar dhe dokumentacionet e tjera të tij, të cilat vërtetojnë sipas prokurorit rregullësinë e pasurisë, dhe në datën 24 korrik do të jepen konkluzionet përfundimtare në lidhje me Gentian Osmanin. Komisioneri Publik ka kërkuar largimin e tij nga detyra me argumentimin se Gentian Osmani nuk justifikon pasurinë, ku bëhet fjalë për blerjen e një apartamenti, për të cilin prokurori Osmani ka deklaruar se një pjesë të parave e ka marrë me kredi.
Megjithatë, do të priten konkluzionet e KPA për të parë nëse prokurori i Krimeve të Rënda dhe anëtar i KLP-së do të vijojë në detyrë apo do të shkarkohet. Nëse ndodh që ai të shkarkohet, atëherë do të mbetet vakant vendi i tij në KLP, gjë për të cilën Arta Marku do të duhet të kërkojë thirrjen e prokurorëve për të gjetur pasuesin e Osmanit në detyrënn që mban në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.