“Peshku” i parë i SPAK dhe tre “kartat” e saj për ndëshkimin e çështjeve të nxehta

Më të fundit


Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi ka deklaruar e SPAK do të nis punën në shtator deri në fillim të tetori dhe se rruga e pandëshkueshmërisë ndaj korrupsionit në nivele të larta shumë shpejt do të marrë fund. Në një intervistë për DW, Ibrahimi tha se ndryshe nga prokuroria e Krimeve të Rënda, SPAK do të ketë prokurorë të pavarur dhe ka në dorë tre “karta” të reja që do të ndikojnë drejtpërdrejtë në ndëshkimin e korrupsionit në nivele të larta qeverisëse.

Gjatë intervistës, Ibrahimi tha se puna do të nis me çështjet e nxehta dhe shpreson që prokurorët e SPAK të gjejnë guximin të aktivizojnë çështjet e fjetura. Ndër dosjet e “nxehta” Ibrahimi përmendi vetëm rastin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla i akuzuar për shpërdorim detyre dhe pastrim parash, duke lënë të kuptohet se ndoshta ky do të jetë edhe “peshku” i parë i madh që përflitet prej kohës për t’u kapur nga drejtësia. “SPAK  do të trashëgojë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth 90 % të portofolit të kësaj prokurorie, p.sh. do të vijojë hetimin e pastrimit të parave nga ish-Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla.” – tha Ibrahimi i cili theksoi se rritja e besimit të publikut tek SPAK do të sjellë kallëzime të reja penale për të ndëshkuar  korrupsionin dhe lidhjeve me krimin në nivel të lartë.

DW: Kur mund të fillojë funksionimin SPAK?

Genti Ibrahimi: Nga shtatori apo fillimi i tetorit. Për secilin nga 15 kandidatët e SPAK, KLP do të marrë një vendim për ta emëruar sapo të kalojë vettingun. Kur kjo të ndodhë për 7 apo 8 syresh do të shpallim krijimin e SPAK dhe fillimin e funksionimit të tij.

DW:  Z. Ibrahimi, çfarë ”kartash” ka në  dorë SPAK që të përligjë pritshmëritë e mëdha që njerëzit dhe elitat intelektuale kanë ndaj tij, si institucioni kyҫ i drejtësisë së re që do të fillojë me çmontimin e pandëshkueshmërisë për ish-politikanë apo politikanë aktualë të përfolur për korrupsion, pasurim të paligjshëm, lidhje  me krimin, të paprekur deri më sot nga drejtësia?

Genti Ibrahimi:  Shqipërisë nuk i kanë munguar institucione hetimore për korrupsionin. Por SPAK  ka tri “karta” të reja dhe të rëndësishme në dorë.

Së pari: pavarësinë e prokurorëve. Para reformës në drejtësi dhe ndryshimeve kushtetuese një prokuror i lartë kishte të drejtë të ndryshonte gjithçka në punën e një prokurori në pozicion më të ulët. P.sh. nëse një prokuror i një niveli më të ulët vendoste fillimin e një ҫështjeje penale eprori i tij mund të vendoste  mosfillimin e saj ose anasjelltas. Sot kjo varësi është ҫmontuar jo vetëm për SPAK por për ҫdo prokuror. Prokurorët e SPAK kanë një mandat 9 vjeҫar, janë të pashkarkueshëm, ndryshe nga prokurorët e tjerë që shërbejnë me një afat të përcaktuar dhe mund të lëvizin nga KLP nga një zyrë në tjetrën. Nëse një prokuror i SPAK  ka kryer shkelje disiplinore për ta shkarkuar duhen 2/3 e 11 anëtarëve të KLP, gjë që vështirë të  arrihet në kushte normale.

Së dyti:  SPAK ka kontroll të plotë mbi policinë gjyqësore, që do të jetë e përbërë nga oficerët e policisë gjyqësore / hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, (BKH) që do të rekrutohen nga prokurorët e SPAK. Ndryshe nga  Prokuroria e Krimeve të Rënda, SPAK nuk do të ketë nevojë për  Policinë e Shtetit  për hetimin e korrupsionit dhe lidhjeve me krimin. Deri tani rastet e korrupsionit të funksionarëve të lartë janë hetuar nga  Policia e Shtetit, për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Policia e Shtetit varet nga Ekzekutivi, nga Ministria e Brendshme dhe nuk është çudi që pushteti ekzekutiv të sabotojë hetimin nga prokuroria, pasi e ka nën kontroll policinë gjyqësore.

Kjo do të ndryshojë në mënyrë drastike në rastin e SPAK, që do të ketë policinë e vet gjyqësore. Hetimet do të kryhen në një sekret më të madh se deri tani kur hetimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin bëhen  nga struktura të ndryshme dhe mundësia për rrjedhje të informacionit është më e madhe. Me SPAK  hetimi do të zhvillohet brenda një zyre të vetme, nga një grup njerëzish që janë në lidhje profesionale dhe hierarkike me njëri- tjetrin.

Së treti:  Mbi Prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqësore të SPAK rëndon detyrimi i aksesit në privatësinë e tyre. Ata janë gjithë kohës të monitoruar. Sa herë që flasin në telefon e dinë që dikush i regjistron, llogaritë e tyre bankare janë të aksesueshme.

DW:  Me këto 3 “karta” të forta në duar a do të fillojë SPAK hetimin e çështjeve të nxehta lidhur me korrupsionin dhe lidhjet me krimin në nivel të lartë?

Genti Ibrahimi:  SPAK  do të trashëgojë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth 90 % të portofolit të kësaj prokurorie, p.sh. do të vijojë hetimin e pastrimit të parave nga ish-Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla. Besimi i publikut tek SPAK do të sjellë kallëzime të reja penale. Vetë prokurorët e SPAK, shpresoj të gjejnë guximin të aktivizojnë çështje të fjetura. Portofoli i SPAK do të jetë më i pasur nga ai i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila do të shkrihet kur SPAK të fillojë punën dhe prokurorët e saj do të emërohen nga KLP në zyrat e prokurorive të rretheve. Dëshiroj të theksoj që hapja e çështjeve të fjetura penale nuk ka kufizim kohor kur ato nuk janë parashtruar. Për vepra penale të korrupsionit afati ligjor i hapjes së tyre është shumë i gjatë, shkon me dekada.


Lexoni këtu intervistën e plotë dhënë për DW.



Skip to toolbar