“Parashikime Fake”, por Meta i besoi sizmologut grek

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta ka hedhur pas krahëve krizën politike dhe fërkimet me qeverinë duke marrë një rol krejtësisht të ri dhe të papritur për të gjithë: atë të sizmologut. Meta parashikon një “tërmet apokaliptik” për Shqipërinë dhe duket vërtet i shqetësuar nga ky fakt, aq sa i ka drejtuar një letër zyrtare dhe tepër “serioze” kryeministrit Rama, ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka duke i kërkuar informacion në lidhje me tërmetet që pritet të godasin Ballkanin dhe Shqipërinë.

Me një letër, sa të çuditshme aq edhe qesharake që në fakt të gjitha bazat e saj i ka në një deklaratë të një sizmologu grek, Akis Tselentis, i cili ka folur në një deklaratë për mediat duke thënë se gadishulli i Ballkanit do të preket nga një tërmet i fuqishëm shkatërrimtar nga momenti në moment.

Po kush është Akis Tselentis? Dhe më e rëndësishmja çfarë shkaktuan deklaratat e tij në Athinë?

Akis Tselentis, drejtori i Institutit Gjeodinamik grek, ka deklaruar në një intervistë televizive se një tërmet i madh pritet të godasë Greqinë. “Ne kemi një gjigant pranë nesh. Në një moment, ai do të shpërthejë dhe pastaj në rajon do të ketë mjerim. Duhet të jemi gati. Gjithashtu një tërmet më i lartë se 6 i shkallës Rihter do të prek vendin gjatë dy muajve të ardhshëm pranë zonës së Prevezës.” – ka thënë Akis Tselentis

Këto parashikime kanë shpërthyer një debat të ashpër midis sizmologëve grekë.  Gerasimos Papadopoulos, një sizmolog dhe anëtar i Komitetit Special të Shkencës për Vlerësimin e Rrezikut Sizmik, ngriti dyshime mbi hartën e Tselentis për tërmet, duke thënë se parashikimi i tij mbulon gjysmën e Greqisë.

‘Harta Tselentis’ është e paqartë, nuk mund të marrë masa për gjysmën e vendit,” shpjegoi Papadopoulos në një intervistë me Newsit.

Ndërsa presidenti i Organizatës për Planifikimin dhe Mbrojtjen e Tërmeteve, Efthymios Lekkas i cilësoi parashikimin e Tselentis për një tërmet apokaliptik si “papërgjegjshmëri  kriminale”.

Shteti është i gatshëm të merret me një tërmet të madh, por nuk e dimë kur do të ndodhë. Askush nuk mund t’i parashikoj ato. U bëj thirrje qytetarëve që të mos i kushtojnë vëmendje  parashikime të papërgjegjshme.” – tha Lekkas.

Kur asnjë sizmolog tjetër në Greqi nuk i mbështeti deklaratat e Akis Tselentis, Meta pse i besoi deklaratat e tij për “tërmetin apokaliptik”? / RealStory.al



Skip to toolbar