Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn në një intervistë për median austriake “De Standard” ka folur për çështjen e negociatave, shanset që ka Shqipëria, ndërsa ka komentuar edhe debatin për drejtësinë e re në Shqipëri, ku i ka dhënë një përgjigje indirekte edhe Presidentit Meta për Gjykatën Kushtetuese.
Ai tha se është e padrejtë që të hedhësh akuza se është jashtë funksionit Gjykata Kushtetuese, pasi kjo sipas tij tregon se drejtësia e re ka dhënë rezultate, duke iu përgjigjur kreu të shtetit, i cili ka akuzuar qeverinë për këtë gjë dhe që sipas tij drejtësia e re u kthye në ‘Ramaformë’. “Të akuzosh shqiptarët se Gjykata Kushtetuese nuk po funksionon, për shembull, është e padrejtë, sepse kjo tregon vetëm se sa e suksesshme është puna e komisionit të themeluar, i cili nxjerr jashtë sistemit të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar”, tha Hahn.
Ndërkohë, komisioneri Hahn ka dënuar edhe bojkotin e opozitën dhe debatin e hapur nga Presidenti Meta, pasi sipas tij këto mund ta dëmtojnë Shqipërinë në hapjen e negociatave. “Për Shqipërinë, për fat të keq, problemet janë tani në plan të parë, të tilla si opozita që nuk është në parlament, se qeveria ka vështirësi në mbajtjen e një dialogu dhe se ka një procedurë kundër presidentit. Sigurisht, vendet anëtare të BE-së vlerësojnë gjithashtu situatën e përgjithshme politike në shtet”, deklaroi ai.