Apeli rrëzon Margjekën, Sako: Fitoi verdikti qytetar

AKTUALITET


Gjykata e Apelit në Durrës ka prishur vendimin e parë dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Durrësit për mosdhënien e mandatit të kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako.

Apeli vendosi të pushojë çështjen, pasi gjykata e Shkallës së Parë ka dhënë argumentimin se procesi nuk ishte i ligjshëm, pasi Bindja Demokratike ishte regjistruar jashtë afatit zyrtar, duke i bërë këto zgjedhje nul.

Në seancën e së martës ishte e pranishme vetë kryebashkiakja Valbona Sako, e cila pas vendimit të trupit gjykues, tha: “Fitoi verdikti i qytetarëve”.

Gjykata e Durrësit, më 17 korrik, me gjyqtare Mimoza Margjekën, nuk i dha mandatin e kryebashkiakes Valbona Sakos, e cila u shpall fituese në votimet e 30 qershorit. Ky vendim i gjykatës, i vetmi kundër kryetarëve të zgjedhur më 30 qershor, u cilësua si një fitore nga Partia Demokratike, por që tashmë edhe kjo fitore e përkohshme u rrëzua nga Gjykata e Apelit në Durrës.

Ndërkohë, pas një kërkese të bërë nga Partia Socialiste, për njohjen e kryetares së bashkisë së Durrësit, Valbona Sakon, po Gjykata e Durrësit, por me një tjetër gjyqtar, Shpëtim Rekën, vërtetoi dy ditë më vonë, më 19 korrik mandatin e Sakos si kryebashkiake e qytetit të Durrësit.



Skip to toolbar