Habit kandidati i SPAK për pastërtinë, asnjë pyetje nga KPK

AKTUALITET


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka mbyllur muajin korrik me prokurorin Altin Dumani, i cili është kandidat për Prokurorinë e Posaçme, SPAK. KPK ka zhvilluar një seancë dëgjimore me kreun e Prokurorisë së Apelit të Krimeve të Rënda, Altin Dumani, por për çudi nuk ka pasur asnjë pyetje për të, fakt që ka habitur edhe vëzhguesin e ONM-së. Vëzhguesi ndërkombëtar i Organizatës Ndërkombëtare të Monitorimit Theo Jacobs tha se për herë të parë në prezencën e tij në më shumë se 25 çështje nuk kishte asnjë pyetje. Madje, ai e konsideroi si një ditë me fat për prokurorin Dumani, ndërsa vlerësoi tek ai gjithçka që u tha nga trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trupa gjykuese është e përbërë nga Firdes Shuli, Etleda Çiftja, Roland Ilia. Përballë tyre, mësohet se Dumani nuk ka zgjedhur avokat dhe do të mbrohet vetë. Gjatë seancës KPK-ja u shpreh se hetimi për Dumanin ka përfunduar në të tria kriteret e vlerësimit. Referuar ILDKPI, Dumani ka bërë deklarim të saktë dhe nuk ka fshehje pasurie. Rezulton po ashtu që subjekti i rivlerësimit ka në pronësi një apartament me vlerë 50 mijë euro.


Në fakt Dumani mendohet të jetë edhe kandidati më favorit për të drejtuar Prokurorinë e Posaçme “SPAK”. Altin Dumani, drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda është renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Altin Dumani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 1999, ndërsa në vitin 2000 është emëruar drejtues i Prokurorisë së Tropojës. Në vitin 2004, Dumani u zgjodh prokuror i Krimeve të Rënda, ndërsa në vitin 2007 u transferua te Prokuroria e Tiranës në pozicionin e zv.drejtuesit.

Në vitin 2010, Altin Dumani u promovua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe prej fillimit të vitit 2019 është komanduar si drejtues i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda. Dumani është angazhuar gjithashtu në mësimdhënie dhe si ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës.




Skip to toolbar