Kryeministri Edi Rama ka dalë të martën nga selia e kryeministrisë për të bërë bilancin e qeverisë për punët e kryera, por duke treguar edhe prioritetet e qeverisë deri në vitin 2020, ku vuri theksin pikërisht në investimet në rajonin e veriut, ku ai u caktua koordinator, e sidomos në Shkodër, ku ka qenë edhe beteja më e ashpër për 30 qershorin, pasi pavarësisht se opozita nuk mori pjesë në zgjedhje, kryetarja në detyrë e Bashkisë, Voltana Ademi, tentoi të bllokojë procesin zgjedhor me të gjitha mënyrat, njerëzit dhe mjetet në dispozicion të bashkisë.
Prioritet Shkodra dhe Pogradeci
Duke u ndalur fillimisht te infrastruktura, Kryeministri vuri theksin te dy rrugët e reja që do të ndërtohen me PPP-të, Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat, por ai tha se vetëm në veri do të ketë prioritet edhe Bashkia e Pogradecit, një tjetër bashki, që drejtohej nga opozita. “Së shpejti nisin punimet për Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat. Milot-Balldren është pjesë e korridorit blu, europian dhe pjesë e projekteve rajonale të procesit të Berlinit, ndërsa Orikum-Dukat është një tjetër aks me rëndësi strategjike, të cilit duam t’i bashkojmë tunelin e Llogarasë, për të cilin ka nisur studimi dhe së shpejti nis projekti. Prioritet është nisja e punës për Shëngjin-Velipojë, për rrugën e Thethit, projekte të financuara që janë në fazat e fundit të procedurave. Nga ana tjetër rruga e Semanit. Shkodra do të marrë një rëndësi të veçantë, do të jetë zonë me prioritet strategjik, i gjithë rajoni i Shkodrës”, deklaroi Rama. Në këtë aspekt ai nuk la pa thumbuar sërish Voltana Ademi, kur i kujtoi projektet e panisura për shkak të drejtueses së kësaj bashkie. “Jemi përgatitur dhe kemi një sërë projektesh, nga finalizimi i atyre të nisura apo të mbetura në start për shkak të murit shurdh të bashkisë, deri te disa projekte më të gjëra, që synojnë të krijojnë një atraksion të ri turistik nga liqeni deri në alpe”, tha ai, ndërsa shtoi se fokus do të kenë edhe Parku i Lurës, Korabit dhe Shrebenikut.
Protestat rritën informalitetin, por nuk ndaluan turistët
Ndërsa kreu i qeverisë përmendi edhe aksionin anti-informalitet, i nisur në muajin korrik, ai nuk kaloi pa përmendur opozitën dhe protestat, që sipas Ramës rritën informalitetin, megjithëse nuk ndaluan ritmin rritës të turistëve në vendin tonë. “Në 6 muajt e parë të vitit kemi rritje me 11% të vizitorëve të huaj, krahasuar me 6 mujorin e parë të vitit të shkuar dhe sot që flasim janë 220 hotele më shumë të çelura në dispozicion të mikpritjes se një vit më parë” tha ai. Kryeministri Edi Rama deklaroi se ekonomia është rritur me 2.21% krahasuar me një vit më parë, ndërsa garantoi se aksioni anti-informalitet do të vijojë deri në fund të mandatit.
Reformë në polici
Veç projekteve të qeverisë, Rama dha dhe një lajm të rëndësishëm për policinë, ku sipas tij, është projektuar një reformë për uljen e moshës mesatare në radhët e uniformave blu. “Shifrat e kriminalitetit tregojnë se nuk jemi afektuar nga 6 muajt e revolucionit imagjinar antishtet dhe faktikisht vërejmë me kënaqësi që përtej ekranit të okupuar me gjithë katrahura politike e Tiranës janë finalizuar nga Forca e Ligjit 10 operacione më shumë se një vit më parë, plot 20 operacione, janë goditur 12 grupe kriminale dhe është sekuestruar pasuri 47.2 milionë euro. Për sa i përket kriminalitetit të rrugës janë të qëndrueshme në progres, mund të kishte qenë më mirë nëse policia nuk do ishte marrë me lëvizjen antishtet. Vettingu në polici ka nisur, ka filluar verifikimi për 45 dosjet e para dhe do të ketë një reformë për uljen e moshës mesatare në polici nga 55-65 vjeç. Nuk mund të ketë në trupën e policisë punonjës mbi 55-vjeç, rrugëdalja do të jetë kuptimplotë financiarisht”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se shumë shpejt do të vihet në funksion një njësi e re speciale për ata që Kryeministri i cilësoi “të fortët” e rrugës dhe lagjes. “Kemi gati një njësi super speciale, që do të merret me të gjithë të fortët e rrugëve, ose të lagjeve ose të qyteteve. Ajo që e kam anoncuar disa kohë më parë dhe që do të jetë pjesë e presionit të policisë kundër këtyre tipave, që nëse do të vendosin të qëndrojnë në Shqipëri duhet të përgatiten për t’u fshehur në vrima që duhet të jenë shumë të ngushta, përndryshe nuk do të kenë mundësi të marrin frymë”, shpjegoi Rama për prioritetet e qeverisë.