Basha nxit dhunë: T’i shporrim me çdo mjet

AKTUALITET


Kreu i PD, Lulzim Basha ka bërë thirrje për dhunë dhe për mbrojtje me çdo mjet e formë bashkitë e djathta. Kreu i PD-së ka qenë të martën në Devoll atje ku të hënën kryebashkiaku socialist mori zyrën dhe nisi mandatin e fituar në zgjedhjet e 30 qershorit.

Basha së bashku me militantët e PD-së u mblodhën para bashkisë së Devollit dhe kërkuan që kryebashkiaku socialist të lirojë zyrën. Basha bëri thirrje që demokratët të përdorin çdo mjet për t’i larguar socialistët. Madje ai njoftoi se socialistët nuk do të qeverisin asnjë ditë pasi do të përballen me PD-në, madje edhe në Tiranë.

“Kam kënaqësinë të ndodhem në këtë manifestim të madh të Demokracisë dhe vendosmërisë për të mos pranuar vjedhjen dhe uzurpimin e pushtetit vendor nga një bandë që është në pushtet. Pakica kriminale ka uzurpuar bashkinë e Devollit, shumë shpejtë do ta shporrim këtë pakicë nga Devolli dhe nga Shqipëria. Hajduteskë…me pushtimin e bashkisë si hajdutë me pushtimin e pushtetit vendor si kriminel dhe me tentativën për të vendosur mbi 94% të qytetarëve të Devollit. Rama dhe sozitë e tij kanë shkruar fatin e tyre ne Devoll dhe në mbar vendit. Fati i tyre është ai që pret çdo hajdut. Shporrja me çdo kusht me çdo mjet me çdo formë. Kjo është dhunë antikushtetuese kriminale dhe antiligjore. Keqardhje për përdorimin e policëve duhet të arrestonin hajdutin. Nëse i njëjti fat do ti pres hajdutët në Shqipëri. Hajdutët i kanë bërë llogaritë në ditët e fundit të Korrikut. Kanë kujtuar se me vapën e verës do të realizojnë vjedhjen. Nuk do të qeverisin dot asnjë ditë. Sot në Devoll, Kavajë Pogradec, Kamëz e në të gjithë Shqipërinë… Do të përballen me vendosmërinë tonë. Edhe në Tiranë. Rrëzim i këtyre hajdutëve”, ka deklaruar Basha.

Ky është skenari që Basha ka përgatitur për të mbrojtur karrigen e tij në PD, fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Realstory publikoi pak ditë më herët një dokument të hartuar nga kryesia e PD-së më 2 korrik dhe ku bëhej thirrje që të mbroheshin me çdo kusht bashkitë e djathta. Pra Partia demokratike është e vendosur që të përdorë akte dhune për të mbrojtur një pushtet që ra në 30 qershor dhe që ndërkombëtarët e njohën zyrtarisht. Basha ka nisur të përsërisë të njejtën gjë që bëri para zgjedhjeve të 30 qershorit ku u mundua të pengonte zgjedhjet me protesta të dhunshme, por u tërhoq pas presionit të ndërkombëtarëve. Kreu i PD-së këtë herë po përpiqet që përmes dhunës në bashkitë e ndryshme, të mbajë të ndezur frymën e opozitës kundër qeverisë dhe nga ana tjetër të mbrojë veten e tij nga sulmet dhe kritikat brenda PD-së për nxjerrjen e partisë në rrugë dhe për mbetjen pa asnjë pushtet./Realstory



Skip to toolbar