Një turist italian i cili ndodhej në një anije turistike në zonën e Karaburunit është shpëtuar nga policia kufitare dhe forcat Delta të cilat i kanë ardhur në ndihmë menjëherë pasi kanë marrë njoftimin. Falë transportimit të shpejtë për në spital, me mjetin lundrues të forcave “Delta”, turisti italian është jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë, mesditën e së dielës, salla operative e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, është njoftuar me telefon nga kapiteni i një anijeje turistike që ndodhej në zonën e Karaburunit në Shën Vasil, se kishte nevojë për ndihmë mjekësore për një turist italian që ndodhej në anije, i cili duhej transportuar për në spital në një kohë sa më të shpejtë.
Menjëherë në ndihmë të turistit ka shkuar në kohë mjeti lundrues i forcave “Delta” që ishte me shërbim në atë zonë dhe ka transportuar shtetasin E.U, 59 vjeç për në Porti e më pas me autoambulancën e spitalit të Vlorës.
Turisti Italian E. U., pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Vlorës, kaloi rrezikun për jetën dhe në këto momente ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Italiani ka falënderuar policinë kufitare dhe ekipin mjekësor që i erdhën në ndihmë.