Tmerr në Vlorë, plagoset pronari i lokalit me të birin dhe nipin. Autorët fshihen në Pyllin e Sodës

AKTUALITET


Pushuesit në Vlorë janë tmerruar pasditen e së dielës, kur dy persona kanë qëlluar me armë automatike në një lokal, ku kanë mbetur të plagosur tre persona, mes tyre pronari i lokalit, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19.35 në plazhin e vjetër të Vlorës, pikërisht pranë ish-kabinave të plazhit, ku të plagosur kanë mbetur tre të rinjtë. Policia tha se krimi i rëndë erdhi pas një konflikti për motive banale mes dy autorëve të krimit dhe pronarit të lokalit, i cili shoqërohej nga i biri dhe nipi.

Sipas të dhënave të para të policisë lokale, të plagosurit janë qëlluar nga dy persona, të cilët pas krimit të rëndë, mendohet se janë larguar në këmbë drejt Pyllit të Sodës, me qëllim për t’i shpëtuar arrestimit.

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policia ka transportuar të plagosurit për në spitalin rajonal të Vlorës, ku sipas të dhënave paraprake, thuhet se dy nga të plagosurit janë djali i pronarit të lokalit dhe nipi, të cilët kanë marrë nga një plumb në këmbë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa i plagosuri i tretë rezulton që është Arben B., i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka marrë plumba në trup. 40-vjeçari është pronari i lokalit, ku ka ndodhur ngjarja dhe mendohet se ka qenë objekt i sulmit me armë.

Po ashtu, policia e Vlorës ka ngritur postblloqe të shuma në të gjitha pikat kyçe të qytetit bregdetar dhe po punon për identifikimin e arrestimin e autorëve të këtij krimi të rëndë.

Policia e Shtetit tha në lidhje me këtë krim të rëndë se menjëherë ka bërë të mundur identifikimin e autorëve, E.XH e Sh.L, të cilët janë shpallur në kërkim. Sipas policisë, uniformat blu janë në ndjekje të autorëve të ngjarjes, në ndihmë të të cilëve janë Delta Forcë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit. Sipas policisë, të tre të plagosurit ndodheshin në lokal, kur dy autorët kanë qëlluar me automatik. Grupi hetimor, i mbërritur në vendin e ngjarjes tha se konflikti ka ndodhur për motive banale.



Skip to toolbar