Katër zyrtarë bashkiakë janë arrestuar nga policia në kuadër të operacionit Plazh i Lirë që ka liruar sërish plazhe të zaptuara në Himarë, Pogradec e Durrës.
Mësohet se janë proceduar 5 administratorë biznesesh dhe 4 zyrtarë bashkiakë për shpërdorim detyre.
Në Himarë është proceduar zyrtari me iniciale L.M, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Tatim Taksave pranë Bashkisë Himarë.
Ndërsa në Pogradec shtetasit me iniciale G.L, A.P, dhe E.B, banues në Pogradec, të tre me detyrë inspektorë kontrolli në Drejtorinë e Tatim Taksave.
Gjithashtu është liruar rreth 3600 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme.
“Policia e Vlorës liron një hapësirë zonë të mbrojtur në Plazhin e Gjipesë – Himarë, e cila shkon deri në 3000 m2, si dhe rreth 600 metra në Potam e Qeparo. Në total lirohen 3600 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme.
Sekuestrohen rreth 200 shezlongë dhe 100 çadra plazhi, të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike.
Procedohen 4 administratorë subjektesh për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” “Moslëshimi i kuponit tatimor” dhe “Pushtimi i tokës”.
Operacioni ka vijuar edhe në Pogradec ku janë proceduar penalisht për “Shpërdorim detyre” tre inspektorë të Drejtorisë së Tatim Taksave në Pogradec, konkretisht shtetasit: G.L, A.P, dhe E.B, banues në Pogradec, (të tre me detyrë inspektorë kontrolli në Drejtorinë e Tatim Taksave në Pogradec), pasi nuk kanë ushtruar kontrollin e nevojshëm në disa subjekte private të cilat kishin lëshuar me qira më shumë shezlongë, sesa iu kishte miratuar me leje Bashkia Pogradec, duke zënë hapësira publike në zonën e plazhit.
Në vijim të operacionit, në Durrës tek shkëmbi i Kavajës, gjatë kontrollit në një plazh privat u konstatuan rreth 160 shezlongë në administrim nga shtetasja D.D., e cila nuk lëshonte kupton tatimor. U procedua penalisht shtetasja D.D për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, njofton policia.
Operacioni po vijon çdo ditë me shtrirje në gjithë zonat bregdetare në territorin e Republikës së Shqipërisë.