Durrës, zbulohen 55 kg drogë në krevatin e kamionistit

AKTUALITET


Policia kufitare në portin e Durrësit ka zbuluar një sasi droge të konsiderueshme në një kamion, i cili do të imbarkohej drejt Italisë, duke bërë të mundur sekuestrimin e lëndës narkotike dhe arrestimin e shoferit të kamionit. Policia tha se droga u zbulua nga qeni antidrogë dhe ishte fshehur pikërisht në krevatin që ndodhen në kabinën e makinës.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në pikën e kontrollit të kamionëve në mjetin tip Scania, me drejtues shtetasin M.P., shërbimet e Policisë Kufitare, duke përdorur edhe qenin antidrogë konstatuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 14 pako me lëndë narkotike e dyshuar kanabis me peshë 55.5 kilogramë”, deklaroi policia.

Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M.P., 35 vjeç, banues në Tiranë, drejtuesi i mjetit. Po në lidhje me këtë rast, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë shpallur në kërkim policor shtetasin R.H., 52 vjeç, banues në Vlorë.

Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.



Skip to toolbar