Ministria e Financave ka rrëzuar pretendimet e kryebashkiakes në detyrë Voltana Ademi dhe Partisë Demokratike, të cilët u ankuan se u thesari i ka bllokuar pagesat Bashkisë Shkodër që të martën, ndërsa ka shpjeguar se pagesat janë kryer brenda orarit zyrtar.
Një ditë më herët (të martën), me anë të një letre, dërguar Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj dhe përfaqësive diplomatike në vendin tonë, Voltana Ademi, kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, ankohet se Dega e Thesarit në qytetin veriperëndimor ka bllokuar punën e bashkisë. Sipas letrës së Voltana Ademit, Dega e Thesarit nuk ka pranuar të paguajë faturat e shërbimeve të Bashkisë Shkodër.
Për këtë çështje reagoi të mërkurën edhe dega e Partisë Demokratike në Shkodër, duke e cilësuar këtë veprim si një hakmarrje nga qeveria Rama për Shkodrën pas protestave në këtë qytet.
Por, pas këtyre akuzave ka reaguar Ministria e Financave, duke shpjeguar se lidhur me situatën e krijuar në Bashkinë Shkodër, se strukturat përkatëse i kanë ndjekur nga afër këto procedura në përputhje më legjislacionin në fuqi. “Ditën e djeshme (të martën) janë ekzekutuar nga Dega e Thesarit, Shkodër, të gjitha pagesat dhe urdhërpagesat e depozituara nga Bashkia Shkodër, brenda orarit zyrtar dhe sipas gjithë procedurave ligjore”, tha Ministria e Financave, e cila shtoi se për këtë ka gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Madje, qeveria i dërgoi edhe një mesazh opozitës, duke i thënë se “është në funksion të zbatimit të ligjit për të gjithë qytetarët njësoj pa dallime”.