Sezoni turistik/ Ministri i Brendshëm jep porositë: Të garantojmë sigurinë për pushuesit, asnjë tolerim për mjetet lundruese

AKTUALITET


Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, deklaroi se Shqipëria po përjeton një moment të jashtëzakonshëm zhvillimi në turizëm, duke theksuar se rritja e numrit të vizitorëve sjell jo vetëm përfitime ekonomike, por edhe përgjegjësi më të mëdha për institucionet e sigurisë.

Gjatë prezantimit të planit të masave për sezonin turistik, ministri u shpreh se turistët që zgjedhin Shqipërinë nuk vijnë vetëm për plazhet, malet apo qytetet historike, por edhe sepse e perceptojnë vendin si një destinacion të sigurt dhe mikpritës.

Ministri vlerësoi punën e Policisë së Shtetit, duke theksuar se sezoni veror për efektivët nuk është periudhë pushimi, por një provë e rëndësishme e shërbimit ndaj qytetarëve dhe vizitorëve. Sipas tij, janë marrë të gjitha masat për të garantuar një sezon turistik të sigurt, të qetë dhe të suksesshëm në të gjithë vendin.

Një vëmendje e veçantë, sipas Lamallarit, do t’i kushtohet sigurisë në bregdet.

Ai theksoi se njësia policore detare do të ketë një rol kyç në monitorimin e plazheve dhe parandalimin e incidenteve me mjetet lundruese, me synimin që ngjarje të së kaluarës të mos përsëriten gjatë këtij sezoni turistik.

“Ka vite që Shqipëria po jeton një moment të jashtëzakonshëm zhvillimi në turizëm. Ky është një fakt që na gëzon të gjithëve. Turizmi është një nga sektorët më jetikë të ekonomisë sonë, por ky sukses sjell edhe më shumë përgjegjësi.  Kur një turist zgjedh Shqipërinë, ai nuk zgjedh vetëm një plazh, një mal apo një qytet historik, por zgjedh një shtet që e pret me dinjitet që në pikën kufitare dhe e mbron me profesionalizëm.

Përveç të ardhurave për ekonominë, turistët sjellin edhe përfitime në aspektin e imazhit të vendit tonë, duke u bërë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në vendet ku ata jetojnë. Këtë duhet t’ua kthejmë me shërbime më të mira, me më shumë siguri dhe me më të mirën që ofron vendi ynë.

Një vend i sigurt nuk ndërtohet me fjalë, por me shumë punë dhe përkushtim, me njerëz që zgjohen të parët dhe flenë të fundit. Këtu e kam fjalën pikërisht për ju, punonjësit e Policisë së Shtetit, e cila ka barrën kryesore në këta muaj me fluks të lartë udhëtarësh dhe grumbullimesh në zonat turistike të vendit.

Sezoni veror nuk është thjesht periudhë pushimi, është prova më e madhe e shërbimit tuaj. Ju, punonjësit e Policisë së Shtetit, e dini më mirë se kushdo tjetër këtë angazhim. Ne kemi detyrimin të dëshmojmë se jemi gati me të gjitha angazhimet tona.

Ne kemi marrë masat e nevojshme për të garantuar një sezon të sigurt, të qetë dhe të suksesshëm. Dua të ndalem te njësia policore detare, e cila ka një rol parësor për të garantuar sigurinë në plazhet e vendit, në mënyrë që të mos kemi incidente si në të kaluarën me mjetet lundruese”, theksoi Lamallari.



Skip to toolbar