Kryeministri Rama ka gjetur një mënyrë origjinale për t’i kthyer përgjigje kërkesave pa fund të opozitës që ai të japë dorëheqjen. Gjatë ditës së shtunë shumë media e portale publikuan një shkrim të bazuar në një portal lokal grek, sipas të cilit kryeministri shqiptar ishte duke kaluar pushimet në Greqi. Mbrëmjen e së shtunës ka reaguar Rama. Ai shkruan se është urdhër politik që jo vetëm ai, por të gjithë ministrat e qeverisë së tij, pushimet t’i bëjnë brenda kufijve të Shqipërisë.
Rama jep garanci se nuk ka bërë pushime jashtë Shqipërisë që nga vera e vitit 2013 (kur mori pushtetin) dhe nuk do të bëjë të tilla pushime deri në 2020 (kur i mbaron mandati) dhe X, duke e lënë të panjohur vitin se sa ai do të vijojë të qëndrojë si kryeministër.
Pasi kjo varet nga zgjedhjet e vitit 2020. Përmes kësaj deklarate kryeministri jo vetëm që i kthen përgjigje opozitës që prej shumë muajsh kërkon dorëheqjen e tij, por i kthen përgjigje edhe presidentit Meta që ka caktuar datën 13 tetor për zgjedhje vendore dhe të përgjithshme. Rama tregon se maxhoranca nuk do të pranojë asnjë kërkesë për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas Ramës mandati i qeverisë aktuale mbaron në 2020 dhe zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen pikërisht në atë vit. Madje ai shpreson se do të fitojë një mandat të 3-të qeverisës, të paktën kjo mendohet se fshihet pas X të panjohur.