Elio është vogëlushi që lindi 13 ditë më parë, por me një problem të rrallë në zemër. Prindërit e tij kishin 12 vite që prisnin të bëheshin me fëmijë. Vogëlushi ka një diagnozë të rrallë që trajtohet në pak spitale të specializuara në Europë.
Kryeministri Rama shkruan në profilin e tij që stafi i tij kanë qenë aty që në ditën e parë që lindi dhe tani bebi është transportuar në një spital në Itali ku po merr ndihmën e duhur. “Me gjithë zemër uroj, që zemra e vogël të shpëtojë nga rreziku i madh që i kanoset dhe Elio të jetë për shumë e shumë vite, burim gëzimi për mamin e babin”, shkruan Rama.
Kryeministri duket se kohët e fundit i ka kushtuar vëmendje të shtuar halleve të njerëzve, sidomos për fëmijët, pasi vetëm një ditë më herët, ai publikoi mesazhin e një emigranti, i cili kishte tre muaj që nuk po lidhte dot dritat në shtëpi, për shkak të borxhit të vëllait dhe i kishte kërkuar ndihmë kryeministrit, duke i bërë apel se kishte në errësirë fëmijën 2 vjeç dhe nënën e paralizuar. Pas ndërhyrjes së Ramës, emigranti e falënderonte që kishte arritur të fuste në shina zgjidhjen e problemit të tij.
Po ashtu, pak ditë më herët, qeveria mundësoi dërgimin në Turqi edhe të një vajze me një tjetër sëmundje, që nuk mund të kurohej në spitalet shqiptare.