Përplasja nga lokali në spital me 5 të plagosur në Fier, arrestohen 5 veta

AKTUALITET


Policia e Fierit ka vënë në pranga 5 persona në lidhje me konfliktin në Levan të Fierit, ku është arrestuar edhe personi që plagosi me armën e punonjësit të Policisë babanë e dy të plagosurve në urgjencën e Spitalit Fier.

Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi i posaçëm hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme  në Levan dhe më pas në urgjencën e Spitalit Fier, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: D. Braçe, 21 vjeç dhe G. Braçe, 22 vjeç, të dy banues ne Levan, Fier, për veprat penale “Vrasje me dashje mbetur në tentativë”, “Goditje për shkak detyrës të punonjësit të rendit publik”.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi D Braçe dyshohet se është autori i plagosjes me armë zjarri, i cili është kapur dhe arrestuar në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Gjithashtu u bë arrestimi për veprat penale “Vrasje me dashje mbetur në tentativë” , “Mbajtje pa leje e armëve të ftoha” i shtetasve A.Zhapa, 51 vjeç, banues në Ferras; E. K., 32 vjeç, banues në Vlorë dhe A. Zhapa, 22 vjeç, banues në Ferras. Nga veprimet e para hetimore rezulton se konflikti ka nisur për motive banale në një lokal. Në cilësinë e provës materiale u bë sekuestrimi i një arme gjahu, dy mjeteve prerës dhe tre automjeteve. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.



Skip to toolbar