Këtë të hënë pasdite Kuvendi do të mblidhet për të çelur sesionin e ri të punimeve. Për herë të parë që nga rënia e diktaturës, ky sesion i ri parlamentar e gjen Partinë Demokratike jashtë Kuvendit. Megjithatë, deputetët e mazhorancës dhe ata të opozitës parlamentare, kanë një axhendë voluminoze pune për të bërë gjatë gjithë muajit shtator. Në krye të punëve të Kuvendit, do të jetë puna për shkarkimin ose jo të Presidentit Ilir Meta, i cili akuzohet për shkelje të Kushtetutës, pas dekretit të 10 qershorit për anulimin e datës së zgjedhjeve, dhe dekretit të 27 qershorit, për shpalljen e një date të re zgjedhjesh ndërkohë që më herët dekreti i tij ishte rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor.
Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Metës, ka vijuar punën edhe gjatë muajit gusht, pavarësisht se nuk është mbledhur. Ai ka funksionuar në nivel sekretariati, ndërsa me rinisjen e punimeve plenare, ky Komision do të ketë një punë voluminoze përpara. Megjithatë, pritet që brenda muajit shtator apo në fillim të tetorit, Kuvendi të marrë një vendim përfundimtar për çështjen e Ilir Metës, duke pasur parasysh faktin që kaq është dhe koha e përcaktuar e funksionimit të Komisionit Hetimor, i cili në fund do të dorëzojë në Kuvend raportin përfundimtar. Gjithashtu, një pikë e rëndësishme e vlerësimit të këtij raporti do të jetë opinioni i Komisionit të Venecias.
Në fund të muajit korrik kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi i dërgoi një letër Komisionit të Venecias, ku i kërkoi mendim në lidhje me shkeljet ose jo të Kushtetutës nga Ilir Meta. Një tjetër axhendë e rëndësishme e punimeve të sesionit të ri parlamentar, do të jetë puna për Reformën Zgjedhore. Opozita parlamentare, ashtu si në rastin e shkarkimit të Ilir Metës, ka kërkuar dhe është angazhuar për ndryshimin e kodit aktual zgjedhor. Tashmë pritet të shihen veprimet konkretete të opozitës në lidhje me këtë reformë.
Gjithashtu, brenda muajit shtator apo në fillim të tetorit, në Kuvend pritet të votohen 2 anëtarët për Gjykatën Kushtetuese, që do t`i hapte rrugë krijimit të këtij institucioni, i kërkuar nga ndërkombëtarët edhe për të vlerësuar ligjshmërinë ose jo të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe dekreteve të Metës. Gjithashtu, Kuvendi do të ketë edhe një dosje të madhe për rishqyrtimin e ligjeve të kthyera në Parlament nga Presidenti, i cili vetëm gjatë muajit korrik, ktheu të paktën 4 ligje.