Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini ka përsëritur thirrjen për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. “Ne kemi interes për ta sjellë Ballkanin Perëndimor në BE. Integrimi i këtij rajoni në Bashkimin Europian, është në dobi të të gjithëve ne. Tani është koha që të jemi të mençur dhe nëse nuk e bëjmë do pendohemi shpejt”, ka thënë Mogherini.
Këto deklarata, Përfaqësuesja e Lartë e BE, i ka bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar me Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të vendeve të Unionit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin që javën e dytë të tetorit të marrin dritën jeshili nga Këshilli i Europës për hapjen e negociatave për integrimin në BE.
Ky vendim ka kaluar parimisht në verë e këtij viti, por votimi përfundimtar u shty pasi vendet e bllokut kërkuan më shumë kohë për t`u njohur me raportin e Komisionit Europian, që në fakt ka rekomanduar hapjen e negociatave me Shqipërinë. Sipas raportit të publikuar në qershor, KE shprehet se “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kan plotësuar të gjitha kushtet e lëna nga BE, ndaj meritojnë hapjen e negociatave”.
Gjatë këtij takimi, veç integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë diskutuar edhe tema të tjera, që lidhen me sigurinë ne Bashkimit Europian, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe situata nga protestat në Hong Kong.