Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka akuzuar dy partitë opozitare PD dhe LSI se kanë bërë përpjekje për të penguar integrimin e Shqipërisë në BE. Në një konferencë për mediat, teksa ka komentuar raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit, ministri në detyrë tha se ky raport faktoi se PD dhe LSI patën një sjellje vandale në prag të zgjedhjeve. Cakaj ftoi Bashën ta lexojë drejt raportin dhe të shikojë se ai më së shumti është kritik ndaj opozitës dhe legjitimon 30 qershorin.
“Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 nuk kanë qenë vetëm zgjedhje demokratike, por në fakt edhe vendosje e një shembulli të pakthyeshëm historik se duke dëshmuar se qëndrueshmëria institucioneve është me e lartë sesa shuma e interesave partiake. Zgjedhjet e tejkaluan sjelljen e dhunshme. Raporti i OHDIR e cilëson sjelljen e PD dhe LSI, në raport me godinën e Kryeministrisë, si të dhunshme.
Një ditë pas zgjedhjeve më me rëndësi sesa emrat e rinj që janë legjitimuar në këtë proces, ka qenë dëshmia se braktisja e parlamentit nuk mund të përkthehet në avancim institucional. Kësaj radhe kemi pasur shumë më shumë sesa bojkoti nga opozita. Jemi ekspozuar nga një dhunë vandaliste para dhe pas procesit zgjedhor. Këtë e thotë edhe raporti. Madje kemi pasur tentativa për bllokim të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Tashmë me publikimin e raportit, ekziston një opinion se procesi zgjedhor ka qenë i rregullt”, tha ai.
Më tej, ministri Cakaj iu përgjigj edhe kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili tha mbrëmjen e kaluar se raporti i OSBE/ODIHR dëshmoi rrëzimin e shtetit. Cakaj tha se është e rëndësishme që raporti të lexohet në mënyrë të përgjegjshme.
“Mbrëmë dëgjova Bashën që tha se ky raport dëshmoi rrëzimin e shtetit. Është e rëndësishme që leximi i raportit të bëhet në mënyrë kompetente dhe të përgjegjshme .
Gjatë këtyre ditëve është diskutuar mbi përmbajtjen e raportit. Ka ekzistuar një përpjekje për të keqinterpretuar referencat e jashtme. Po shfrytëzohet një raport ndërkombëtar për të legjitimuar një proces të rregullt zgjedhor.
Nuk mund të identifikohet shuma e problemeve jashtë shkaktarëve të tyre. Ky raport është më shumë kritik për opozitën, se sa delegjitimim i procesit zgjedhor. Më duhet të zbërthej disa nga gjetjet kryesore të raportit.
Së pari, raporti sqaron se në Shqipëri më 30 qershor zgjedhjet janë zhvilluar pa një mundësi kuptimplotë të zgjedhjeve midis grupaksioneve. Nuk ka prag minimal për numërimin e votave. Qeveria nuk merr përgjegjësi për garantimin e pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje.
Raporti thekson se klima ka qenë e polarizuar dhe nuk i ka kushtuar vëmendje programeve. Kjo është rrjedhojë e atyre që kanë bojkotuar procesin”, tha Cakaj.
OSBE/ODIHR bëri publik të mërkurën në mbrëmje raportin përfundimtar për zgjedhjet e 30 qershorit ku vërejti se në 95% të qëndrave të votimit, procesi i votimit ishte i rregullt, ndërsa rekomandoi që qeveria dhe opozita të nisin punën për realizimin e reformës zgjedhore./realstory.al